Brenda 14 muajve, vaksinimi antiCOVID i të gjithë atyre që duan të vaksinohen

TIRANË, 4 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama në përgjigje të interesit të qytetarëve lidhur me vaksinimin antiCOVID, tha se, “duhet të jeni krenarë për Shqipërinë që siguroi vaksinën dhe brenda 14 muajve do të kryejmë vaksinimin e të gjithë atyre që duan të vaksinohen”.

Rama u ndal edhe në vendet e rajonit të cilat akoma nuk kanë filluar procesin e vaksinimit.

“Po vendet e rajonit që s’kanë bërë asnjë vaksinim, janë dembela, janë të paaftë apo thjeshtë nuk duan ta thonë sa për ta thënë që po kryejnë vaksinime? Kjo nuk ka lidhje, nuk ka lidhje me VIP-at dhe miliarderët. Mjafton të shikoni çfarë ndodh në Europë me vaksinën, për të kuptuar se duhet të jeni krenarë për qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që pavarësisht se është qeveria e njërit prej 6 vendeve të rajonit mes Europës të rrethuar nga kufijtë e BE-së që u la jashtë skemës europiane të shpërndarjes të vaksinave, në pritje të COVAX, siguroi kontratën e drejtpërdrejtë me ‘Pfizer’, dhe e filloi vaksinimin në fillim të janarit falë një marrëveshje me një vend partner. Ndërkohë shikoni se çfarë ndodh në Bosnjë, deklaruan dje që do marrin 2000 doza ‘Sputnik’ nga Rusia, sepse deri më tani s’ka asgjë. Shiko se çfarë ndodh në Maqedoninë e Veriut, thuhet se do i drejtohen Kinës për të marrë vaksinën kineze. Po i sjell këto për të thënë se nuk i kanë vaksinat. Ndërkohë që ne kemi kontratë, kemi filluar. Ka patur një vonesë, jo për Shqipërinë, jo nga dembelizmi, jo nga paaftësia, jo nga që s’jemi bashkë, jo që miliarderët nuk paguajnë, jo se s’kemi lekë. Këtu nuk është çështje lekësh, këtu është çështje sasish, jo lekësh. Sepse nuk ka vaksina në supermarketët e botës që nuk po shkojmë ne që t’i blejmë. Nuk ka vaksina stoqe nëpër fabrika që nuk po shkojmë ne t’i blejmë, por ka shumë më pak vaksina se kërkesa dhe prandaj vonesa ishte për të gjithë Europën. U ngrit Brukseli, u ngrit Gjermania, Italia që do hedhim në gjyq kompanitë pse nuk respektuan kontratën”, tha ai.

Rama shtoi se, “sidoqoftë erdhi një parti e parë për të mos ndaluar procesi dhe ndërkohë brenda shkurtit kompania thotë se do sjellë dhe 40 mijë të tjera që kanë dhënë garanci në kontratë. 15 shkurt do të vijnë më shumë se 10 mijë dhe brenda shkurtit 30 mijë të tjera”.

“Do vazhdojmë vaksinimin dhe do shtrihet me intensitet kudo dhe unë vazhdoj të them se jemi në kohë, pavarësisht vonesave që na janë krijuar jo ngaqë s’jemi bashkë, as që nuk duam të paguajmë, por nga fakti se kompania prodhon shumë më pak nga nevojat që janë në të gjithë botën, që brenda 14 muajve të kryejmë vaksinimin e të gjithë atyre që duan të vaksinohen”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.