100 anëtarë të LSI-së i bashkohen PS-së/ Gjiknuri: Keni bërë zgjedhjen e duhur, e ardhmja juaj është me zhvillimin e Vlorës

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ 100 anëtarë të LSI nga qyteti i Vlorës, të rinj e të reja, iu bashkuan sot degës së Partisë Socialiste të qytetit bregdetar.

Drejtuesi politik i socialistëve në këtë qark Damian Gjiknuri zhvilloi një takim simbolik me një përfaqësi prej tyre të cilëve ju dorëzoi kartat e anëtarësisë së PS-së.

“Ka ardhur momenti që ju t’i bashkoheni kauzës së të ardhmes tuaj dhe e ardhmja juaj është me zhvillimin e Vlorës dhe me partinë që i ka bërë më shumë Vlorës dhe që është bërë realitet. Ne nuk e kemi me propagandë, ne e kemi me vepra. Vlora po ndryshon përditë. Qyteti që të ketë të ardhme do të rinj, që të jenë të angazhuar në politikë, të angazhuar në jetën sociale, të angazhuar në ndryshimet që po ndodhin në Vlorë”, – theksoi Gjiknuri.

Prandaj, vijoi Gjiknuri, pjesëmarrja juaj duhet të jetë sa më e madhe dhe duhet të sillni sa më shumë shokë e shoqe që të bëhen pjesë e forcës sonë politike.

“Keni bërë zgjedhjen e duhur pasi e thashë, ne nuk e kemi me fjalë. Ka shumë njerëz që thurin poezi në emër të Vlorës, ka shumë njerëz që e përmendin Vlorën, por le të tregojnë me gisht se çfarë kanë bërë në të kaluarën për Vlorën. Njerëzit dinë të krahasojnë. Nuk mundet të besohet një njeri që të shet të ardhmen pa treguar se çka bërë në të kaluarën. Nuk besoj se asnjë forcë tjetër do mund ti vërë gishtin një gjëje themelore ndryshuese që ka bërë për Vlorën, përveç Partisë Socialiste”, tha Gjiknuri.

 

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.