Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit/ Majko: Opozita po vonon procesin, KQZ të zbatojë ligjin

TIRANË, 2 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Opozita po vonon procesin e votimit të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit”, deklaroi ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ndërsa i kërkon KQZ të zbatojë ligjin.

Në lidhje me votimin e emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit, Majko gjatë një interviste televizive tha se, “në dijeninë time Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në asnjë rast nuk ka deklaruar se nuk do ketë votim të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit, jo të emigrantëve, sepse emigrantë quhen ata që nuk kanë status social në një shtet pritës, ose siç i themi ne në zhargonin normal, nuk i kanë letrat në rregull. Janë shtetas shqiptarë me banim jashtë vendit të cilët ne do ti fusim në sistemin tonë elektoral edhe brenda vendit”.

“Kështu, KQZ i ka bërë një ftesë partive politike për t’u shprehur lidhur me çështjen e votimit të shtetasve me banim jashtë vendit. Mua më duket e tepërt kjo, sepse me KQZ ky kontekst nuk është shkruar në asnjë vend, mund të shikoni edhe nenin 24 dhe 25 në Kodin Zgjedhor që flet për mënyrën e procedimit dhe kompetencat e KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor dhe nuk ka sens që procesi të bllokohet nëse nuk ka konsensus të partive politike. Në momenti që një ligj ka kaluar siç është Kodi Zgjedhor dhe për të cilin është rënë dakord, kam parasysh se dhe për votimin e shtetasve jashtë vendit është rënë dakord nga palët, atëherë nuk kemi se çfarë konsensuesi presim. Unë mendoj se ditët harxhohen kot duke pritur që dikush të japë përgjigje, që po, jam dakord. Është e kotë që dikush të presë, po, jam dakord të zbatohet ligji. Kështu me këtë kontekst nuk ka asnjë logjikë që mund të bllokojë votimin e shtetasve tanë jashtë vendit”, theksoi ai.

Në lidhje me përgjigjen e marrë nga KQZ, Majko tha se, “kam komunikim të përjavshëm, kam patur marrëdhënie të mirë edhe me KQZ e vjetër të cilët kanë filluar procedurën e kërkesave drejtuar institucioneve menjëherë pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Dua ta them hapur, që votimi i ndryshimit në Kodin Zgjedhor ka qenë në limitin e limitit të fundit dhe kur diskutojmë këtë çështje duhet ta kuptojmë edhe këtë gjë”.

“Gjithë kjo histori ka ardhur si pasojë e një krize të tej zgjatur, si pasojë e largimit të opozitës nga Parlamenti. Duke patur parasysh se Komisioni i Reformës Zgjedhor në mënyrë të paprecedent është krijuar që në 2017, ska ndodhur në asnjë parlament të këtyre viteve. Dhe të jemi të sinqertë, megjithëse i kemi ftuar, ju kemi dërguar materiale, kemi bërë konferenca së bashkua me OSBE, diskutimet në thelb kanë qenë jo serioze. Palët janë marrë më gjera anësore deri sa erdhi moment sa opozita u largua. Në qershorin e vitit të kaluar falë presionit të perëndimit, u ra dakord”, tha ai.

Pyetjes se ku ka ngecur procesi, Majko tha se sikur jo 800, por 10 veta, 1 i gatshëm për të votuar, KQZ në bazë të ligjit duhet të miratojë vendimet për procedurat dhe t’i thotë mënyrën e votimit.

“KQZ duhet të zbatojë ligjin, pa papritur që dikush nga partitë politike ti thotë po, jemi dakord për të zbatuar ligjin. Nuk ka sens kjo”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të zbatohet Kodi Zgjedhor. “Kam bindje se Celibashi është jashtëzakonisht i angazhuar në këtë drejtim, e di për shkak të sorollatjeve të opozitës qershorin e kaluar dhe gjithë këto vonesa na kanë sjellë në këtë situatë, por kjo nuk do thotë se nuk do zbatohet ligji”, tha Majko.

Pyetjes pse KQZ nuk po zbaton ligjin, Majko tha se, “unë mendoj se po vonohet kot, nuk kam asnjë arsye të them se nuk po zbaton ligjin, por po them se po vonohet kot duke pritur partitë e opozitës që të thonë ne jemi dakord që të ketë votim për shtetasit tanë jashtë vendit”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.