“Taksat kombëtare”, Komisioni për Ekonominë rrëzon dekretin e Presidentit

TIRANË,  2 shkurt/ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat  rrëzoi sot dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.

Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin Bledar Dervishaj këshilltar juridik i Presidentit, Petraq Milo këshilltar i Presidentit për Ekonominë dhe Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë.

Kryetari i Komisionit, Anastas Angjeli, tha se “diskutimi do të mbështetet vetëm në arsyetimet e ardhura nga Presidenti i Republikës, mbi këtë dekret”.

Këshilltari për Çështjet Ekonomike dhe Fiskale në Presidencë  Milo theksoi se “argumentet e paraqitura në këtë Dekret janë në tre nivele, nivelin politik, nivelin fiskal dhe në eksperiencat e organizatave që janë të specializuara për këtë pjesë”.

Ndërsa Dervishaj, në fjalën e tij cilësoi se “ky ligj në fakt përbën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë dhe theksoi se situata pandemike ka sjellë efekte negative në secilën fushë të ekonomisë dhe në secilin subjekt në tregun e lirë, dhe gjithashtu se kësaj nisme i mungon transparenca që në momentin që është propozuar, vlerësuar dhe analizimit të kostove”.

Më tej, relatori i çështjes Ervin Bushati u shpreh se “argumentet e sjella nga Presidenca nuk kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë, por janë argumente të kundërshtimit opozitar, sepse në këtë projektligj janë sjellë edhe efektet buxhetore si edhe synimet kryesore të cilat janë diskutuar në komision”.

Pas diskutimeve, sugjerimeve e komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e rrëzuan me votë dekretin e Presidentit të Republikës. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.