Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kryemadhi: Fokusi ynë tek 5 prioritetet

TIRANË, 2 shkurt/ATSH – A. Fortuzi/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me të rinjtë në Lezhë, deklaroi se fokusi i LSI është realizimi i 5 prioriteteve.

“Ne si LSI jemi të gatshëm dhe i kemi ofruar gjithmonë të rinjve dhe të rejave tona program, angazhim dhe ajo që është gjëja më e rëndësishme është vendimmarrja. Sot të rinjtë shqiptarë, përveçse janë larguar nga Shqipëria, po ndihen të papërfshirë, po ndihen të paorganizuar, të pabegenisur, dhe jo vetëm kaq, por në shumicën e rasteve edhe janë tallur”, – tha ajo.

“Sot shqiptarët duan program, sot shqiptarët duan ide, sot shqiptarët vizion dhe ne sot jemi më të qartë se kurrë sepse kemi një program, kemi 5 prioritetet tona kryesore, të cilat ne duam ti realizojmë dhe do ti realizojmë në 5 muaj, në bashkëpunim edhe me të gjithë frontin tonë opozitar. Por nuk është më front opozitar, nuk është më opozitë e bashkuar, por janë të gjithë shqiptarët e bashkuar”, – tha Kryemadhi.

“Kështu që edhe një nga pikat tona kryesore që ne themi dhe që sot është e domosdoshme, është fokusimi ynë te pesë prioritetet tona: tek arsimi, tek punësimi i mirëpaguar për të rinjtë tanë, krijimi i profesionistëve të rinj. Ajo që ndihmon edhe fuqizimin ekonomik të familjeve tona, rimbursimin e shpenzimeve në 5 % të faturave të tyre tatimore dhe pastaj edhe programi ynë ‘Nga bebja në bebe’ për të ndaluar shpopullimin me ritme të shpejta që është nxitur nga Edi Rama, për ta ç’bërë atë”, tha ajo.

Në një reagim të saj, Kryemadhi tha se, “Edi Rama rizbuloi për të njëmijtën herë se ai nuk ka asnjë plan për këtë vend. Siç u shpreh dhe vetë në mënyrë të dëshpëruar, i vetmi plan i tij është “çuarja e LSI për skrap”.

“Edi Rama jo vetëm nuk ka asnjë plan që i shërben shqiptarëve, por siç po e shikoni gjithmonë dhe më qartë, e vetmja strategji e tij mafioze dhe politike është thjesht dhe vetëm goditja e LSI. Nuk jep llogari as për papunësinë, as për koston e lartë të jetesës, as për shpopullimin dhe mungesën e perspektivës tek të rinjtë. Të gjitha dështime dhe përgjegjësi e tij”, tha ajo.

Po ashtu, Kryemadhi tha se kush kërkon rotacion për ndryshim cilësor dhe do të jetë i sigurt për këtë rotacion të votojë më 25 prill LSI.

“Sa më e madhe LSI, aq më e sigurt dhe aq më i shpejtë fundi i tij. Aq më i shpejt ndryshimi cilësor që sjell shpresë, punësim dhe mundësi për mirëqenie. Çdo votë për LSI është votë e sigurt për çuarjen e Ramës për skrap”, tha ajo.

“Një nga problemet kryesore që kanë sot familjarët është i papunësisë”, tha sot Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në takimin e zhvilluar sot me gratë në Kurbin.

Në bashkëbisedim me gratë e Kurbinit, Kryemadhi vuri theksin te rëndësia e gruas dhe roli i saj në shoqëri.

“Gruaja për LSI-në është themeli i familjes, është themeli i shoqërisë. Pa gratë shoqëria jonë nuk do të kishte të mundur që të krijonte hapësira për fëmijët, familjen, rritjen dhe shkollimin e fëmijëve. Jo se ne i bëjmë gjërat vetëm, por është një nga elementët nxitës të gjithë shoqërisë dhe familjes sonë”, tha ajo.

“Dua të jem koshiente që sot në Bashkinë e Kurbinit është shumë e vështirë jeta e çdo të riu, të reje, familjari dhe aq më shumë e grave. Sepse një nga problemet kryesore që kanë sot familjarët është i papunësisë. Jo vetëm papunësia, por edhe mungesa e fuqisë ekonomike, zhvillimit, e krijimit të hapësirave për punësim, duke pasur parasysh që Bashkia e Kurbinit ka gati 13 km vijë bregdetare dhe investimet në turizëm janë shumë të vogla. Për të vazhduar pastaj për turizmin religjioz, të martat në kishën e Shna Ndout, ky mbi 2 milionë qytetarë vijnë dhe luten për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Ashtu sikurse është edhe një nga bashkitë më të varfra për sa i përket krijimit të hapësirave për vendet e punës, apo për punë të mirëpaguar”, tha ajo.

Po ashtu Kryemadhi shtoi se tërmeti i 26 nëntorit e goditi Bashkinë e Kurbinit dhe sot e kësaj dite ne vazhdojmë akoma t’i kemi njerëzit në momente shumë të vështira. Edhe pse është nisur një projekt nga qeveria turke në mes të Bashkisë së Kurbinit, përsëri do të dëshiroja që ajo të ishte e prekshme për të gjithë banorët që kanë humbur shtëpitë e tyre.

 

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version