Hapet Këndi Arkivor edhe në Sarandë/ Bido: Kënde të tjera arkivore në jugun e Shqipërisë

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Prej nisjes së këtij muaji edhe studiuesit e qytetit të Sarandës, mund të marrin shërbimin përmes Këndit Arkivor i cili është çelur në bibliotekën e qytetit, i 6-ti i çelur nga DPA-ja në vend.

Ky është një shërbim i vyer i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, institucion i cili tanimë po i shërben studiuesve dhe qyetarëve aty ku ata jetojnë dhe në këto Kënde Arkivore ata marrin të njëjtin shërbim si të ishin në Sallën e Studimit në Arkivin Qendor Shtetëror në Tiranë.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma theksuan rëndësinë e këtij shërbimi për studiuesit e qytetit në jug të vendit.

“Ky është një shërbim i madh që i bëhet studiuesve të qytetit por edhe cilitdo studiues tjetër në Jugun e Shqipërisë që do të dëshirojë të shfrytëzojë këtë Kënd Arkivor. Synimi dhe përpjekjet tona janë që arkivi të jetë kudo dhe pas Gjirokastrës dhe tani Sarandës, do të hapim edhe disa kënde të tjera arkivore në jugun e Shqipërisë”, – theksoi Bido.

Sipas tij, aksesi në dokumentet e Arkivit të Shtetit tanimë është shumë i lehtë.

Studiuesi do të duhet të regjistrohet nga shtëpia apo edhe nga zyra e tij, pa qenë e nevojshme të vijë në këtë Kënd Arkivor në adresën: katalogu.arkiva.gov.al.

“Në vetëm 1 ditë pune, llogaria e tij aprovohet dhe përmes postës elektronike me të cilën ka aplikuar, pajiset me fjalëkalimin përmes të cilit mundet të aksesojë dokumentet apo dosjet që ka porositur. Ato do t’i shërbehen në ditën që është përzgjedhur nga vetë studiuesi/ aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, ditë në të cilat ai mund t’i konsuktojë materialet në Këndin Arkivor”, – theksoi Bido.

Kreu i DPA-së u shpreh se “kjo është një nismë e rëndësishme e DPA-së ka gjetur bashkëpunimin me çdo bashki ku deri më tanni janë themeluar këto Kënde Arkivore”.

Nisma synon hapjen e 100 këndeve arkivore kudo ku jetojnë shqiptarë, por aktualisht ky është një shërbim që ofrohet në Gjirokastër, Pogradec, Shkup (Maqedoni e Veriut), Prishtinë dhe Elbasan së fundmi./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.