FRANCË – Von der Leyen: Asnjë kompromis për sigurinë e vaksinave

PARIS, 2 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen theksoi sot se strategjia europiane e vaksinimit, kritikuar për ngadalësi, ishte e duhura duke kritikuar indirekt strategjinë e Britanisë së Madhe që ka vaksinuar më shpejt, në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Monde”.

“Disa vende kanë filluar me vaksinimin pak para Europës, është e vërtetë. Por, ata kanë përdorur procedura autorizimi për hedhjen emergjente në treg, brenda 24 orëve. Komisioni dhe shtetet anëtare ishin dakord për të mos bërë kompromis me kërkesat e sigurisë dhe efikasitetin që janë të lidhura me një vaksinë”, deklaroi Von der Leyen.

“Europa ka nisur më vonë vaksinimin, por ky ishte vendimi i duhur”, shtoi ajo.

Edhe sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane mbështeti të njëjtën linjë.

Sipas tij, britanikët kanë marrë në këtë fushatë vaksinimi (…) më shumë rreziqe.

“Unë nuk mendoj se bashkëqytetarët tanë do të pranonin që ne të merrnim të gjitha rreziqet, në kundërshtim me mendimet e shkencëtarëve tanë, për këtë fushatë vaksinimi”, shtoi ai në radion ”France inter”.

Një takim në samit u zhvillua një ditë më parë në Berlin mes drejtuesve gjermanë dhe disa grupeve farmaceutike në përpjekje për të rinisur fushatën e vaksinimit, e cila po ngec në shumë vende europiane për mungesë rezervash.

Laboratori AstraZeneca, i cili është përballur me zemërimin e udhëheqësve europianë për shkak të vonesave të livrimeve, do të rritet përfundimisht me 30% në tremujorin e parë për hedhjen në tregun europian të vaksinës së tij të autorizuar të premten e kalaur nga BE.

“Për të qenë të qartë, ne i duam këto vaksina. AstraZeneca na paralajmëroi për vonesën e saj në momentin e fundit dhe pa dhënë ndonjë arsye bindëse, tani na duhet transparencë”, theksoi Ursula von der Leyen.

Njoftimi i këtyre vonesave ka nxitur spekulimet rreth dërgesave në Britaninë e Madhe të vaksinave të prodhuara nga ky grup farmaceutik në BE, në dëm të detyrimeve të tij kontraktuale me Brukselin.

“Ne duam të dimë se çfarë është prodhuar në fabrikat europiane, çfarë është eksportuar, ku është eksportuar dhe çfarë është magazinuar. Transparencë më mirë se thashethemet”, nënvizoi Von Der Leyen./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.