“Teatri Kombëtar” pranë publikut me shfaqjet online

TIRANË, 1 shkurt/ATSH-Bledi Naska/ Edhe këtë fundjavë që lamë pas “Teatri Kombëtar” erdhi për publikun e tij me disa nga shfaqjet dhe premierat e suksesshme të dhëna në vite në skenën e këtij institucioni.

“Teatri Kombëtar” e ka bërë të zakonshme tashmë që të vij pranë spektatorëve dhe artdashësve me këto shfaqje të cilat transmetohen direkt në faqen zyrtare të teatrit në “Facebook”.

U bë kohë tashmë që ky projekt vazhdon për shkak të interesit të madh dhe vëmendjes që ka pasur ky projekt nga spektatorët e përhershëm dhe jo vetëm, pasi drejtuesit e Teatrit janë shprehur edhe më parë që interesi për këtë projekt ka qenë shumë i madh dhe se janë ndjekur edhe nga publik, i cili më parë nuk kanë qenë pjesë e atyre njerëzve që ishin fanatikë të teatrit dhe atyre që e ndiqnin me shumë përkushtim aktivitetin dhe kalendarin e teatrit.

Kjo ishte edhe një ndër arsyet që çoj teatrin të merrte vendim për të vazhduar shfaqjen e projekteve të tij on line.

Fundjavën që lamë pas, drejtuesit e teatrit vendosën që të risjellin për publikun, të premten më datë 29 janar 2021 “Poezi dhe prozë nga autorë italianë”, të shtunën më datë 30 janar 2021 “Sonte do të luajmë pa tekst”, ndërsa ditën e diel, datë 31 janar erdhi për publikun shfaqja e suksesshme “Njeriu që pa vdekjen me sy”.

Kjo shfaqje është vënë në skenë me regji të “Artistit të Popullit” Sandër Prosi në vitin 1974 dhe u vu në skenë 47 herë e ndjekur prej 18.535 spektatorësh, çka e bëri atë të konsiderohet një ndër shfaqjet më të suksesshme të Teatrit Kombëtar ndër vite. Në këtë shfaqje interpretuan emra të mëdhenj të skenës shqiptare si: Robert ndrenika, Fatos Haxhiraj, Ilia Shyti, Roland Trebicka,Pandi Siku etj.

Kujtojmë që këto shfaqje kanë qenë më herët pjesë e kalendarit artistik të teatrit si premiera dhe të vijnë sërish për publikun artdashës si pjesë e projektit “The show must go ON”, projekt i cili mori jetë menjëherë pasi u shpall pandemia COVID-19 dhe u mor vendim që teatri dhe ambientet e tjera artistike të mbylleshin për publikun për një kohë  të papërcaktuar, çka vazhdon akoma edhe sot. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.