Siguria ushqimore dhe protokollet antiCovid/ 456 inspektime dhe 31 masa paralajmëruese

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit po vijojnë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. AKU sot ka kryer 456 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin.

Sipas një deklarate për shtyp të AKU-së, gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 31 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit DDD si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit. Po ashtu janë marrë 11 mostra në monitorim të produkteve ushqimore.

Inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 186 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve”, bën të ditur AKU. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.