Puna e palodhur dhe mbështetja nga AZHBR, familja Kasapi në Lushnjë ka 300 krerë gjedhë dhe prodhon 35 kv qumësht në ditë

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Nga vetëm 3 krerë gjedhë sot familja Kasapi në Savër të Lushnjës ka arritur në 300 krerë, që prodhojnë 35 kv qumësht në ditë falë punës së palodhur dhe mbështetjes tonë përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësore dhe Rural.

Kryeministri Edi Rama ndau sot historinë e Tafil Kasapit, 32 vjeç, i cili pasi kreu studimet e larta në Mjekësi Veterinare u kthye në fermën blegtorale të të atit për të vijuar profesionin në aktivitetin e familjes dhe me synimin për të rritur prodhimin deri në 10 tonë qumësht në ditë.

“Pasi mbarova studimet e larta për mjekësi veterinare në Kamëz merrem me mbarështimin e gjedhit për qumësht. Ne kemi një fermë blegtorale e përbërë nga 300 krerë gjedhë qumështi. Prodhojmë rreth 35 kv qumësht në ditë”, – tha Kasapi.

Ai tregon se është lidhur me përpunuesit e qumështit, të cilët vijnë e marrin çdo mëngjes e marrin me cisternë.

“Kjo është puna dhe mundi i gjyshit dhe babait për 30 vite. Vendosëm të merremi e këtë punë, për të mos e braktisur këtë profesion, sepse guri është i rëndë në vendin e vet. Për ne është e mira që ta zhvillojmë këtë pasuri që na ka lënë babai”, – thekson Kasapi.

Duke treguar si e ka nisur këtë biznes, Kasapi, shprehet se “kemi nisur që nga viti 1994-1995 dhe tani kemi arritur tek 300 krerë”.

“Synimi jonë është që brenda një kohe shumë të shkurtër ne të jemi në 600 krerë dhe të prodhojmë rreth 10 mijë tonë qumësht në ditë. Nga eksperienca ime si veteriner mendoj se blegtoria ia vlen të punosh në vendin tënd, të merresh me blegtori, sepse në fund të ditës ke një qetësi familjare e shpirtërore”, – tha Kasapi./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.