Hoti: Me njohjen nga Izraeli kemi thyer bllokadën e njohjeve për Kosovën

PRISHTINË, 1 shkurt/ATSH/- Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti e ka quajtur historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Pasi u zyrtarizua njohja e ndërsjellë me Izraelin, Hoti tha se me këtë veprim, Kosova e theu bllokadën e njohjeve, derisa theksoi se ky vendim nxjerr plotësisht gabim kritikët e marrëveshjes së Uashingtonit.

“Ne kemi hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës. Në një mënyrë me marrëveshjen e sotme që derivon prej marrëveshjes së 4 shtatorit të Shtëpisë së Bardhë. Ne kemi thyer bllokadën e njohjeve për Kosovën…me nënshkrimin e shkëmbimit të letrave, apo vendosjen e marrëdhënieve diplomatike shteti i Kosovës konsolidohet në arenën ndërkombëtare me miq edhe në lindjen e mesme falë mbështetjes së jashtëzakonshme që kemi pasur nga ShBA-të. Besoj që veprimi i sotëm që bëmë sot tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dhe i nxjerr plotësisht gabim kritikët që vazhdimisht e kanë kritikuar këtë marrëveshje edhe duke mos e pranu njohjen nga Izraeli që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit në detyrë, tha se ditët në vijim do të konkretizohet edhe vendosja e ambasadës në Jerusalem, derisa tha se Kosova ka nevojë ta rrisë numrin e njohjeve.

“Në të ardhmen do të shkëmbejmë edhe vizita për të konkretizuar në detaje edhe çështjen e ambasadës. Kjo i mbetet Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta konkretizuar në ditët në vijim…ne kemi nevojë për njohje ne duhet të rrisim numrin e njohjeve, kjo që kemi konkretizuar sot është tepër e rëndësishme. Nuk i cilësoj njohjet të cilat janë cilësore ose më pak cilësore. Të gjitha janë të njëjta”, tha ai.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla tha se me aktin e sotëm, Kosova thyen edhe zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë për ç’njohje.

“Ambasada në Jerusalem është zotim që derivon nga marrëveshja e Uashgintonit dhe është zotim që ka bërë kryeministri përmes një telefonate me 4 shtator në zyrën ovale. Sot  është konkretizim i këtij vullneti politik. Procedurat për emërimin e ambasadorit tonë në Jerusalem do t’i përcjellim ashtu siç përcaktohen me Ligj. Ende nuk kemi filluar, kemi një të ngarkuar me punë e cila do t’i përcjell gjitha procedurat që janë në fuqi, në vendin tonë dhe shtetin pritës”, u shpreh ajo.

Formalizmi i njohjes së Kosovës nga Izraeli ka ardhur pas arritjes së marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.