Fondet IPA nga programi vjetor 2019/ Xhaçka: U rialokuan duke u përqendruar plotësisht për mbështetje sociale


TIRANË, 1 shkurt/ATSH – A. Fortuzi/ Bashkimi Europian mbështet Shqipërinë me 70 650 000 euro përmes Programit IPA dhe në fokus do ketë mbështetjen sociale.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, duke diskutuar në Kuvend në kuadër të projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes se financimit, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian, ne lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës se paraanëtarësimit (IP A II)”, theksoi se ky program ka një kosto totale prej 71 905 555 euro, me një kontribut maksimal të Bashkimit Europian prej 70 650 000 euro, është se nëse fillimisht këto fonde ishin ndarë mes programit për “Përfshirje sociale” dhe atij për “Ekonominë qarkulluese”, aktualisht, pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemisë COVID 19, këto fonde janë rialokuar duke u përqendruar plotësisht në programin për mbështetje sociale.

“Miratimi i Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian në lidhje me programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit është realisht një moment i rëndësishëm. Shpresoj që kolegët në të dy anët e sallës do ta miratojnë atë unanimisht me votën e tyre”, – tha Xhaçka.

“IPA është një nga instrumentet më të rëndësishme dhe më me shumë vlerë në mbështetje të procesit të integrimit, duke mbështetur financiarisht reformat modernizuese e integruese të Shqipërisë. Programi për vitin 2019, për të cilin votojmë sot, është pjesë e asistencës së IPA II që përfshin një periudhë 7-vjeçare, nga viti 2014-2020, qasja e të cilit është përmbledhur në Dokumentin Indikativ Kombëtar 2014-2020, ku përcaktohen prioritetet e asistencës financiare të BE-së për periudhën 2014-2020 për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”, – shtoi ajo.

“E veçanta e këtij programi, që ka një kosto totale prej 71 905 555 euro, me një kontribut maksimal të Bashkimit Europian prej 70 650 000 euro, është se nëse fillimisht këto fonde ishin ndarë mes programit për “Përfshirje sociale” dhe atij për “Ekonominë qarkulluese”, aktualisht, pas situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemisë COVID 19, këto fonde janë rialokuar duke u përqendruar plotësisht në programin për mbështetje sociale. Besoj që ky është një moment i mirë për të falënderuar Bashkimin Europian për mirëkuptimin dhe gatishmërinë që ka treguar për t’ia përshtatur programin e vitit 2019 nevojave akute me të cilat u përball Shqipëria si pasojë e këtyre dy krizave të paprecedenta”, – theksoi Xhaçka.

“Por është një moment për të qenë mirënjohës ndaj BE për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në rrugën e saj të integrimit. Sepse padyshim, programe mbështetjeje si IPA, apo programet pararendëse, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e reformave integruese që ka ndërmarrë vendi. Reforma të cilat kanë qenë shumë të vështira dhe kanë pasur një kosto jo të vogël për vendin. Por që na kanë sjellë sot tek një pikë kur më në fund, pas shumë vitesh punë e reforma, jemi në një moment kritik të procesit të integrimit, kur brenda 6-mujorit të parë të vitit presim të jetë miratuar korniza negociuese dhe të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare”, – vijoi Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Gjithsesi, besoj që të gjithë ne duhet t’i njohim vetes disa mangësi e kritika lidhur me aftësinë që kemi pasur për të përthithur fondet IPA e për të përdorur këtë instrument kaq strategjik. Sepse progresi në thithjen e këtyre fondeve ka qenë shpesh i vonuar dhe jo i njëtrajtshëm nëse krahason performancën e sektorëve të ndryshëm. Pavarësisht progresit të madh që është bërë gjatë viteve të fundit, kemi pasur e vazhdojmë të kemi probleme në të gjitha fazat e zbatimit të këtyre programeve, duke filluar që nga identifikimi i nevojave e hartimi i projekteve e sidomos tek implementimi”, – tha Xhaçka.

Sipas saj, një pjesë e rëndësishme e arsyes për këto probleme vjen edhe nga problemet që ka vetë instrumenti. “Tashmë besoj që edhe vetë përfaqësuesit e BE e pranojnë që IPAt janë një instrument shumë kompleks dhe i vështirë, i ngarkuar me shumë burokraci, që kërkojnë kapacitete e burime njerëzore shumë të avancuara, në çdo nivel të qeverisjes qendrore apo vendore, për t’u përthithur me sukses. Burime e kapacitete që pak vende jashtë BE kanë mundësinë t’i kenë të plota e funksionale. Burime e kapacitete arritja e të cilave është në fakt një nga objektivat e procesit të integrimit për Shqipërinë”.

“Unë shpresoj shumë që edhe nga ana e BE do të ketë eventualisht një lloj reflektimi, për ta thjeshtëzuar disi këtë instrument, për ta lehtësuar atë disi nga pesha e jashtëzakonshme e burokracisë, padyshim pa bërë kompromis me standardet. Ne tashmë jemi duke punuar për të hartuar një plan konkret për rritjen e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore që i dedikojmë këtyre programeve. Duke filluar që nga rritja e kapaciteteve që do t’i dedikojmë përmirësimit të koordinimit mes institucioneve tona, çka do të na lejojë të identifikojmë më mirë nevojat tona për financime. Por duke rritur po ashtu shumë kapacitetet në një tjetër fushë ku performanca jo rrallë ka lënë për të dëshiruar, që është hartimi i projekteve. Kam shumë besim që kur ky objektiv i brendshëm i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të jetë realizuar, pra kur këto kapacitete të shtuara të jenë bërë funksionale e të vihen në punë, i gjithë procesi i përthithjes së fondeve IPA do të bëjë një hap të madh cilësor përpara duke na lejuar ta përdorim sa më mirë e me përfitime maksimale këtë instrument kaq të rëndësishëm”, – tha Xhaçka në fjalën e saj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.