“Nafta falas”/Fermerët me koston më të ulëta që kanë pasur ndonjëherë të prodhimit

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të partisë Socialiste Taulant Balla apeloi sot fermerët të aplikojnë për të bërë pjesë e skemës mbështetëse të qeverisë me naftë falas.

Balla vizitoi një nga fermat e zonave bujqësore të Elbasanit nga ku bëri thirrje po ashtu qytetarëve të konsumojnë prodhimet shqiptare.

“Të gjithë fermerët në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë kanë kostot më të ulëta që kanë pasur ndonjëherë të prodhimit. Një vit më parë zeruam taksat për të gjitha inputet bujqësore. Ndërsa këtë vit në bujqësi nafta do të jetë pa akcizë”, tha ai.

Ju bëj apel fermerëve me NIPT, vijoi Balla, të aplikojnë në portalin https://e-albania.al për të përfituar naftën falas.

“Skema e re e subvencionit do të ulë kostot e prodhimit dhe do të rrisë më shumë fitimet e fermerëve”, vuri në dukje deputeti socialist.

Në zyrat e AREB, theksoi Balla, në Elbasan janë specialistët që ofrojnë asistencën e tyre në aplikimin online që mbyllet më 25 shkurt

Sipas tij, fermerët tashmë e kanë informacionin e duhur mbi mënyrën e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.