Numri i të punësuarve faktikë në Shqipëri 2013-2019, afro 250 mijë

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ numri i të punësuarve faktikë në Shqipëri qysh nga viti 2013 dhe më pas deri në fund të 2019, për ta marrë si referencë përpara fillimit të pandemisë, edhe pjesa më e madhe e vendeve të punës të goditura nga pandemia janë rikuperuar, ka shkuar në afro 250 mijë”.

Në takimin e zhvilluar me qytetarë në Korçë, Rama tha se “kur flasim për vend pune në Shqipëri jam i vetëdijshëm se ka vende pune ka dhe pagë dhe një pjesë e madhe e njerëzve kërkojnë jo thjesht punë, por një punë të paguar më mirë”.

“Për të pasur punë të paguara më mirë duhet të bëjmë çmos që të krijojmë më shumë oportunitete në frontin e ri atë të teknologjisë, të inovacionit, të punëve me kualifikime më të larta dhe duke shtyrë në pjesën e poshtme të gjithë grupin që janë në pagën minimale për ta rritur në mënyrë progresive çdo vit edhe pagën minimale”, – shtoi Rama.

I pyetur për ndihmën ekonomike keu i qeverisë theksoi se “kemi vendosur që deri në fundin e pandemisë ndihma ekonomike do të jetë e dyfishuar dhe ka një impakt të rëndësishëm tek familjet që kanë ndihmë ekonomike. E kemi parë këtë në fazën e parë kur dyfishuam ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë këtë. Pas normalizimit dhe daljes nga kjo situatë ndihma ekonomike do të ketë rritjen e vet graduale, edhe në këtë aspekt në Korçë kemi shembull të  mirë për trajtimin e  komuniteteve romë dhe egjiptianë”.

“Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme kjo e rindërtimit dhe na ka shtyrë të rionceptojmë gjithë programin e strehimit. Jemi duke ecur me këtë për të pasur një mekanizëm dhe një formulë financiare për t’u angazhuar për zero të pastrehë. Besoj do ta bëjmë publike shpejt dhe pastaj do të duhet të artikulojmë mirë edhe hapat edhe shtrirjet në kohë të këtij programi nuk duam të na kthehet në histori barcaletesh dhe përqeshjesh si ajo e 300 mijë vendeve të punës që në fakt ishte një objektiv i vendosur edhe për të cilin me fakte ne kemi punuar”, – tha Rama.

Lidhur me pagën minimale, Rama u shpreh se “e kemi çuar në 300 mijë, nuk është një pagë për të mos shkuar mendja që është më mirë Gjermania, përkundrazi nëse e kthejmë kokën pas e kemi nisur nga 230 mijë. Pra nuk është bërë pak, po të kemi parasysh që kjo pagë prek jo pak njerëz”.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.