“Në Shqipëri nuk ka ‘oligarkë’ “/ Më të pasurit kishin një taksë të sheshtë njësoj si furrat e bukës në Korçë, sot taksohen 15%

TIRANË, 30 janar/ATSH/- “Nuk ka ‘oligarkë’ në Shqipëri, sepse nuk ka në Shqipëri njerëz të pasur që të marrin vendime për llogari të qeverisë. Dhe nuk ka në Shqipëri ndonjë që të më detyrojë mua apo qeverinë tonë që të marrim vendimin që shkon në interes të tij dhe në dëm të interesit publik”. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Korçë, duke theksuar se “të pasurit më të pasur në Shqipëri, para se sa ne të vinim ne në qeveri, paguanin më pak taksa dhe fitonin më shumë dhe ky është fakt, nuk është opinion im. Kjo është diçka lehtësisht e provueshme duke parë librat e llogarive të shtetit”.

Në fjalën e tij, Kreu i Ekzekutivit theksoi se “ata kishin një taksë të sheshtë njësoj si furrat e bukës në Korçë, 10% dhe sot ata taksohen 15%. E dyta, nëse, përsëri fakt, jo opinion, në këto 7 vjet hapësira e kompanive për të pasur akses në punët publike është shumëfishuar nëse deri para 7 viteve numri i atyre që kishin akses në fondet publike për të bërë punë natyrisht, por që të kalonin nga kanali i konkurrencës përmes tenderave ishte X, sot është Y dhe Y është shumë më i madh se sa X në këtë rast që do të thotë se ka më shumë të drejta sot në treg se sa kishte dje aktorët e tregut”.

“Duhen marrë këta “oligarkët”, dhe duhet parë çfarë kanë dhënë dhe çfarë kanë marrë. Se flasim për ta dhe duket sikur flitet për ca njerëz që janë si ata personazhet e realizmit socialist me kulakë. Por këta janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë, pra mbajnë në punë dhjetra e mijëra njerëz. E dytë, janë kontributorë të drejtë për drejtë në buxhetin e shtetit me taksat e mbledhura prej tyre që sot janë shumë më tepër se ishin para 7 viteve, financohen edhe shkollat edhe shtëpitë e rindërtimit, në kuptimin janë pjesë e asaj gjëje. Këta janë aktorë të cilët në kushte e Shqipërisë që qeverisim ne, thjeshtë dhe vetëm kanë kontribuar kur është fjala për përpjekjet e  partneritet publik privat disa prej tyre sigurisht, dhe nga ana tjetër, përfituesi është publiku në radhë të parë se këtu është bërë një propaganda e shfrenuar kundër fjalës PPP dhe koncesion. Por çfarë është e gjitha? Është marrja nga sektori privat i një investimi që shteti nuk ka mundësi ta bëjë në një hark të shkurtër kohe dhe kthimi i këtij investimi në vite. Është njësoj siç të shkosh në bankë të marrësh para dhe t’i kthesh ato në vite duke pasur një element tjetër, ofrimin e shërbimi”, sqaroi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri solli si shembull Chek Up-in, kontrolli mjekësor bazë që nuk nuk është aktiv që nga fillimi i pandemisë, por që ka luajtur rol shumë të madh në verifikimin e gjendjes shëndetësore të njerëzve pa asnjë pagesë për njerëzit.

“Një kompani private ka investuar gjithë sistemin, laboratorët dhe sistemin e nxjerrjes së rezultateve plush  dhe gjithë sistemin e distribuimi të gjitha atyre pajisjeve me elementëve që duhen për të realizuar Chek Up. Nga kjo, qindra mijëra njerëz kanë bërë kontrollin bazë falas dhe në mënyrë të përvitshme shteti paguan mbrapsht, investimi është bërë menjëherë dhe shteti e paguan atë mbrapsht. Dhe këtu është një marrëdhënie krejt e natyrshme interesash ku shteti ka interesin publik dhe të shërbimit, dhe private ka interesin privat dhe të fitimit. Por ama këtu nuk rëndohet xhepi i qytetarit duke i thënë hajde e bëj kontrollin dhe do paguash kaq, sepse për ty paguan shteti”, theksoi Rama.

Gjithashtu, Kreu i Ekzekutivit, solli edhe shembullin e ndërtimit të rrugës së Arbrit, duke theksuar se është një nga rrugët më të premtuara në historinë e vendit tonë. “Por po bëhet me një partneritet publik privat, po investon një kompani private. Dhe kjo do të bëjë të mundur që në fund të këtij viti shpresoj, shumë shpejt rruga do të hapet dhe deri në fund të këtij viti do të jetë e përfunduar plotësisht. Pra brenda një kohe të shkurtër kemi rrugën dhe nuk do të prisnim 13 vjet nëse do ta ndërtonim me fondet, do fillonim e s’do kishim mundësi ta financonim. Por përkundrazi, në 13 vjet ne do paguajmë mbrapsht investimin”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.