Manastirliu-Veliaj inspektojnë Qendrën e re shëndetësore ‘Kodra e Diellit’: Hapim 4 pika të reja të testimit të shpejtë në komunitet

TIRANË, 30 janar/ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Mimi Kodheli kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore ‘Kodra e Diellit’, të ndërtuar me programin e 300 qendrave shëndetësore.

Duke u shprehur se pavarësisht pandemisë, puna për hapjen e qendrave të reja shëndetësore nuk ka ndalur, Manastirliu ka theksuar se qendra shëndetësore ‘Kodra e Diellit’ do t’ju shërbejë 12 mijë banorëve duke ofruar shërbime të aksesueshme dhe afër vendbanimit.

“12 mijë banorë do të kenë tashmë qendrën e tyre shëndetësore afër vendbanimit dhe jam e kënaqur që arritëm që ta krijojmë këtë pikë të re ambulance të Qendrës Shëndetësore Selitë, në një kohë të shkurtër, me gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve që i shërbejnë komunitetit. Në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore kemi mundësuar përmirësimin e infrastrukturës në fshat, në qytet me të njëjtat standarde me rehabilitimin e të gjitha qendrave shëndetësore në vend, por gjithashtu ia kemi dalë të shtojmë shërbime, duke hapur qendra të reja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka bërë me dije se nga dita e hënë në Tiranë do të shtohen 4 pika të reja për testimin e shpejtë në komunitet, me qëllim kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve me COVID19.

“Në Tiranë kemi 6 pika testimi dhe nga dita e hënë do të kemi edhe 4 pika të reja, pra 10 pika në Tiranë që do ti dedikohen testimit të shpejtë, nëpërmjet testit të shpejtë të antigenit që kryhet nga epidemiologe të trajnuar dhe që sigurisht rrisin shpejtësinë e bërjes së testit, shkurojnë kohën e pritjes dhe bëjnë atë që ne synojmë, kapjen e hershme, izolimin e rasteve dhe shkëputjen e zinxhirit të infeksionit”, tha Manastirliu.

Kryebashkiaku Veliaj tha se hapja e kësaj qendre shëndetësore, ashtu siç pritet të hapen së shpejti edhe 2 qendra të tjera në Astir dhe Lanabregas, është një lajm i mirë për komunitetet e këtyre zonave, për faktin se do të ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

“Ky është një lajm i mirë për një lagje që është rritur jashtëzakonisht shumë. Tani po vijnë shërbimet, jo vetëm për zonën e Liqenit të Thatë, Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik, por edhe për gjithë pjesën buzë autostradës, që ndan Njësinë 5 me Lagjen 13. Ky lajm i mirë do të vijë edhe për Astirin dhe Freskun. Në Qesarakë po funksionon shumë mire dhe më në fund, edhe në Lanabregas ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi”, u shpreh Veliaj.

Kjo qendër shëndetësore do të ofrojë paketën e plotë të shërbimeve në kujdes parësor, duke filluar nga mjeku i familjes, vaksinimi dhe imunizimi, sipas kalendarit kombëtar për fëmijët, që përfshin 12 vaksina, recetat me rimbursim për të sëmurët kronikë dhe ndjekjen e pacientëve me Covid 19.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.