FOKUS – Europa e shqetësuar përballë tendencës në rritje të COVID-19

PARIS, 30 janar /ATSH-AFP/ – Shqetësimi përballë përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit, më ngjitëse, ka përfshirë disa vende që po mbyllin kufijtë e tyre ndërkohë që në SHBA numri  i rasteve të reja dhe shtrimeve në spital ka pësuar rënie.

Gjermania ka ndaluar që nga sot hyrjet në territorin e saj në rrugë tokësore, detare dhe ajrore të personave që vijnë nga pesë vende shumë të prekur nga variantet e reja të COVID-19.

Franca do të mbyllë, duke nisur nga nesër, kufijtë me vendeve jashtë BE dhe qendrat e mëdha tregtare, njoftoi kryeministri, Jean Castex.

“Kanadaja do të shtrëngojë gjithashtu kufizimet për hyrjen në tokën e saj, masa që synojnë “dekurajimin e udhëtarëve” me qëllim për të frenuar përhapjen e varianteve të reja”, pranoi kryeministri Justin Trudeau.

Në SHBA nga ana tjetër, rastet e reja me COVID-19 dhe shtrimet në spitale kanë pësuar rënie për dy javë, edhe nëse numri i përgjithshëm i rasteve pozitive ditore është edhe më i lartë se në verë.

Brukseli autorizoi dje hedhjen në treg të vaksinës së AstraZeneca/Oxford kundër COVID-19, e treta e miratuar në BE pas atyre të Pfizer/BioNTech dhe Modernas, njoftoi presidentja e Komisionit Europia, Ursula von der Leyen.

“Pres që kompania të livrojë 400 milionë doza ashtu siç është rënë dakord”, nënvizoi shefja e ekzekutivit europian në një mesazh në Twitter, ndërkohë që AstraZeneca është përballur që prej disa ditësh me zemërimin e drejtuesve europianë për shkak të vonesave të konsiderueshme të prodhimit.

Më herët presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i kërkoi me forcë kompanisë së vaksinave antiCovid-19, AstraZeneca, që të përmbushte angazhimet e saj ndaj bllokut.

Agjencia europiane e barnave miratoi dhe përdorimin në Bashkimin Europian të vaksinës AstraZeneca/Oxford kundër COVID-19, për të gjithë personat e moshës  mbi 18 vjeç, duke konfirmuar se vaksina është e përshtatshme edhe për personat e moshuar.

Vendet e Bashkimit Europian ishin të shqetësuara me vendimin e EMA-s, duke kërkuar nëse ajo do të ndiqte ose jo shembullin e komisionit gjerman të vaksinimit, që rekomandoi dje mospërdorimin e vaksinës AstraZeneca për moshat mbi 65 vjeç.

“EMA rekomandoi dhënien e një autorizimi të kushtëzuar për hedhjen në treg të vaksinës kundër COVID-19 të AstraZenecas (…) tek personat mbi 18 vjeç”, theksoi në një deklaratë rregullatori Europian, me seli në Amsterdam.

Brukseli miratoi gjithashtu një mekanizëm që mundëson kontrollin e eskporteve jashtë BE-së të vaksinave antiCOVID-19 që janë prodhuar aty dhe për të penguar eksportet jo legjitime të dozave të destinuara për europianët.

“Komisioni Europian, nën presion pas njoftimit për vonesat e dërgesave nga laboratori AstraZeneca, miratoi sot këtë mekanizëm duke i vendosur vaksinat me një autorizim eksporti”, theksoi në një konferencë shtypi, komisioneri europian për Tregtinë, Valdis Dombrovskis.

“Objektivi është të kemi informacione të sakta për prodhimin e vaksinave dhe të dimë se ku dëshirojnë kompanitë t’i dërgojnë”, theksoi Dombrovskis, gjithashtu zëvendëspresident i Komisionit dhe kjo për të shmangur që laboratorët të eksportojnë gjetkë doza, të cilat janë në bazë të kontratës për t’u livruar në vendet e BE-së./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.