Shijak/ Kryebashkiaku Arbana jep lajmin e mirë: Do të ndërtojmë pallate për të pastrehët

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana deklaroi sot se në Shijak do të ndërtohen tre pallate për të pastrehët. Duke folur në mbledhjen e këshillit bashkiak Arbana tregoi projektet më të afërta të bashkisë.

Veç 3 pallateve, 30 pallatet që po ndërtohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për familjet që humbën shtëpinë nga tërmeti, pasi të përfundojnë do t’i dorëzohen bashkisë.

Do të jetë bashkia, ajo e cila, do të bëjë ndarjen e apartamenteve së bashku me certifikatën e pronësisë në bazë të vlerësimit të dosjeve të paraqitura nga çdo familje.

Arbana theksoi se, asnjë familje nuk do të mbetet e pastrehë.

“Kjo është sfida jonë për të realizuar hap pas hapi me këmbëngulje dhe vullnet çdo fazë në procesin e Rindërtimit, falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama dhe punës tonë të përbashkët. Gjithashtu po investohet tek ujësjellësi. Kemi dërguar dy projekte për njësinë Maminas dhe njësinë Gjepalaj. Shumë shpejt nis ujësjellësi i Maminasit dhe Gjepalajt, ku përfshihet Likeshi, Hardhishtja, Gjepalaj e sipërme dhe gjithë Njësia”, theksoi kryebashkiaku Arbana. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.