Programi IPARD II, 90 milionë euro/ Krifca: Financojmë grant 500 kontrata investimi në bujqësi e agropërpunim

TIRANË, 29 janar /ATSH/ 500 kontrata investimi të fermerëve dhe biznesit, që janë kryer në sektorin e bujqësisë e agropërpunimit, përfitojnë financim grant nga zbatimi i programit IPARD II në Shqipëri.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca u shpreh se, “në total nga progami IPARD II janë rreth 500 kontrata që do të lidhen, çka janë një injektim i rëndësishëm në ekonomi dhe kryesisht në sektorin e bujqësisë”.

Gjatë një interviste televizive, Krifca theksoi se, “në total nga fondi prej 90 milionë euro i programit IPARD II, me tre thirrje 1, 2, 3 planifikojmë të lidhen 500 kontrata investimi”.

Sipas saj, “deri tani nga dy thirrjet e realizuara kemi lidhur 261 kontrata investimi, ndërsa vijojmë procesin e verifikimit për aplikantët në thirrjen e dytë. Ndërkohë që kemi edhe 360 aplikime në total nga thirrja e tretë e këtij programi dhe do vijojmë me procesin e shpalljes së fituesve”.

“Me investimet që pritet të nisin nga ky program si dhe me skemën e naftës pa taksa, gjatë këtij viti, bujqësia pritet të jetë ndër sektorët që do të udhëheqë rritjen”, deklaroi Krifca. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.