BRUKSEL – Michel: BE të shqyrtojë mjetet ligjore për të siguruar shpërndarjen e vaksinave

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-ANA/ – BE duhet të shqyrtojë të gjitha mjetet ligjore të disponueshme për të siguruar shpërndarjen e sasive të rëna dakord të vaksinave të koronavirusit, nëse bisedimet me kompanitë farmaceutike rreth vonesave në shpërndarje nuk arrijnë të zgjidhin çështjen, deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në një letër për katër liderë europianë.

Letra iu dërgua kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, kryeministres daneze Mette Frederiksen, kancelarit austriak Sebastian Kurz dhe kryeministrit çek Andrej Babis.

Michel po i përgjigjej një letre që këta udhëheqës i kishin dërguar atij më 19 janar, ku kërkonin shpërndarjen e shpejtë të vaksinave në bllok, përpara samitit të BE të 21 janarit për pandeminë.

Presidenti i Këshillit Europian falënderoi katër udhëheqësit për thirrjen e tyre për të ndihmuar në përshpejtimin e procedurave kombëtare të vaksinimit dhe duke i quajtur vaksinat “revolucionare” në luftën kundër Covid-19. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.