“SPAK-u të ketë 50 prokurorë”/ Murrizi: Dakord të votoj për votën e emigrantëve

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Kryetari i grupit demokrat, deputeti Myslym Murrizi deklaroi sot se, vota e emigrantëve ka qenë një kërkesë e tij dhe deputetëve të opozitës.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit Murrizi “Vota e emigrantëve, kërkesë prej ditës kur unë nuk kam braktisur këtë sallë dhe mbajta mandatin,e imja dhe jo pak kolegëve të opozitës që morën mandatet por që shoh që e keni shashkë dhe lojë mediatike”.

“Nuk doni sepse emigrantët nuk i intimidoni dot me vende pune, nuk i rreshtoni dot në administratë, nuk i jepni dot urdhër të plotësojnë formularët me nga 20 emra dhe numra karta ID që do votojnë PS dhe sorollateni duke ia lënë demek topin në dorë Celibashit të Dushkut të 2001-it që përcolli Nanon në 2005-ën. E vetmja shpresë që ngjajnë me dy pika uji në atë kohë është që meqë Celibashi përcolli Nanon në atë kohë besoj është shenjë e mirë që do përcjellë edhe Ramën në 25 prill 2021”, tha Murrizi.

“Jam plotësisht dakord të kurseni dhe të votoj këtu, sa kohë që do të jemi edhe këto seanca që ka ngel çdo akt që do sillni për të financuar teknologjitë apo mundësinë e votës së emigrantëve”, tha Murrizi.

Duke folur për OFL-në, Murriz theksoi se, “OFL-ja u nis me tamtame të mëdha. Sot nuk shoh të ketë nxjerrë ndonjë gjë të re. Është fiks siç thonë shqiptarët, “një vrimë në ujë”.

“Çfarë bëri OFL në një vit dhe çfarë kërkon ky Akt Normativ për të shtyrë afatin që Prokuroria Speciale të vazhdojë hetimet e atyre dosjeve që për mua janë show”, tha Murrizi.

“OFL për mua duhet të ishte për këta këtu. Duhet të ishte për ata që kanë qenë këtu para këtyre dhe për ata që kanë qenë këtu pas meje në 30 vite. Kujt i trokiti OFL-ja nga këta që kanë qenë këtu në vite, asnjërit”, u shpreh Murrizi.

Murrizi shtoi se, “SPAK duhet të hetojë 140 burrat dhe gratë e kësaj salle. SPAK-u duhet të hetojë Presidentin e Republikës, kryeministrin e vendit. SPAK-u duhet hetojë ministrat, zv/ministrat, Drejtorët e Përgjithshëm, drejtore drejtorie në qarqe 500 veta. Jo të merret SPAK-u me gjobat e biçikletave, me gjobat e mushkave. Jo të merret SPAK-u e vuri apo se vuri maskën. Po 50 prokurorë të ketë SPAK-u. Të jetë realisht jashtë kthetrave të politikës dhe të bëjë atë detyrë për të cilën shqiptarët e aspirojnë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.