Sondazhi/ PS do të fitonte sot e vetme me 52 % të votave, PD 31 %

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Nëse shqiptarët do të thirreshin sot për të votuar, Partia Socialiste do të dilte forcë e parë politike.

Sondazhi i dytë i zhvilluar nga Instituti italian Piepoli dhe që u transmetua në Report TV, vë në dukje se 48-52 % e qytetarëve deklarojnë votën e tyre pro Qeverisë, Partia Demokratike me 31-35 % të votave, LSI është në kuotat e 4-8 %, PDIU do të merrte 2-4 %. Surpriza e këtij sondazhi është partia e Jozefina Topallit, Lëvizja për Ndryshim, e cila radhitet e pesta në rang kombëtar me 1-3 %.

Të pyetur se si e konsiderojnë punën e kreut të PD-së Lulzim Basha për të bashkuar në një front opozitën, vetëm 20 % e shqiptarëve e konsiderojnë shumë të mirë, 53 % e quajnë të gabuar, ndërkohë që 25 % normale.

Ndërsa qytetarët e kryeqytetit të pyetur se ‘nëse do të votosh sot për kë do të votoje’, 49-53 % do të votonin PS, PD 33-37 %, LSI 5-7 %.

53 % e qytetarëve e vlerësojnë menaxhimin e pandemisë nga qeveria Rama deri tani. Po ashtu, 43 % e ka vlerësuar pozitive fushatën e vaksinimit, duke u shprehur se qeveria ka reaguar mirë dhe shpejt, ndërsa 34 % mendon se ka reaguar keq. Ndërsa 22 % shprehet se reagimi ka qenë i mirë, por ka ndodhur me vonesë.

Lidhur me rindërtimin, 56 % e qytetarëve shprehen pozitivë për punën e qeverisë. 12 % e cilësojnë të shkëlqyer, 33 % të mirë ndërkohë që 11 % të kënaqshme. Nga ana tjetër 16 % e mendojnë se ka qenë e dobët, ndërkohë që të keqe 25 %.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.