Vlera e mallrave të tregtuara 877.2 miliardë lekë, gati gjysma e tyre u transportua përmes detit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Vlera e mallrave të tregtuara (eksport/import) përgjatë vitit 2020 llogaritet 877.2 miliardë lekë dhe gati gjysma e tyre u transportua përmes detit.

INSTAT publikoi sot raportin për transportin e mallrave gjatë vitit që lamë pas.

Sipas të dhënave, në vitin 2020 vlera e mallrave të tregtuara përmes detit llogaritet 430.6 miliardë lekë nga të cilat 151.1 miliardë lekë eksporte dhe 279.5 miliardë lekë importe.

Sa i përket volumit, sipas INSTAT, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 4.277 mijë tonë, duke u ulur me 4 %, krahasuar me vitin 2019

Ndërkohë, vlera e mallrave të tregtuara me rrugë llogaritet 403 miliardë lekë nga të cilat 115.6 miliardë lekë janë eksporte dhe 287.4 miliardë lekë janë importe.

Volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 26.029 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 39.4 %, krahasuar me vitin 2019. Ndërsa, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 1.796,8 tonë duke u ulur me 24.3 %, krahasuar me vitin 2019.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.