Ndotja e ajrit ndikon negativisht në shëndetin e syve

LONDËR, 27 janar /ATSH-AA/ – Një studim i kryer në Britaninë e Madhe zbuloi se rritja e ndotjes së ajrit mund të shkaktojë dëmtime në shikim.

Sipas gazetës The Hill, shkencëtarët britanikë realizuan një studim që zbuloi se dëmtimi i shikimit i lidhur me moshën lidhet gjithashtu me rritjen e ndotjes së ajrit.

Në studimin që ka përfshirë më shumë se 115 000 vullnetarë të moshës 40-69 vjeç, ekspertët kanë shqyrtuar nëse dioksidi i azotit dhe oksidet e azotit në ajër kishin lidhje me degjenerimin makular të lidhur me moshën (AMD) ose përkeqësimin e retinës, që shkaktojnë dëmtim të shikimit.

Në kuadër të hulumtimit, dëmtimi i retinës është matur me raportet vullnetare dhe tomografinë e koherencës optike të fushës spektrale të përdorur për të ekzaminuar syrin e njeriut.

Ekspertët kanë matur oksidet e azotit dhe dioksidet e azotit në grimca dhe kanë krahasuar ato me vlerat e ndotjes së ajrit në adresat e tyre të regjistruara në bazën e të dhënave kombëtare të secilit pjesëmarrës.

Si rezultat i studimit, është vënë re se pjesëmarrësit e ekspozuar ndaj sasive më të larta të grimcave të imëta ose sasive të vogla të grimcave kishin më shumë probleme me shikimin.

Shkencëtarët kanë vënë në dukje se pjesëmarrësit të cilët ishin të ekspozuar ndaj dozave të larta të një mesatareje prej 2,5 mikrometrash të grimcave kishin 8% më shumë shanse të raportonin degjenerim makular të lidhur me moshën.

Studimi gjithashtu ka treguar se nivelet më të larta të grimcave lidhen edhe me shtresën e hollë të pigmentuar retinale.

Detajet e studimit janë botuar në revistën “British Journal of Ophthalmology”./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.