Stacionet e ndërmjetme të qëndrimit në linjat e transportit ndërqytetës/ Zgjidhje problematikave

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe DPSHTRR, i japin zgjidhje problematikës së miratimit të stacioneve të ndërmjetme të qëndrimit në linjat e transportit ndërqytetës dhe të heqjes apo ndryshimit të orareve, pas përmbushjes së kritereve teknike të përcaktuara.
Kjo zgjidhje do ofrojë fleksibilitet dhe prakticitet që ndihmon në rritjen e eficiencës së operatorëve, me transparencë, me përfitues direkt të gjithë qytetarët që përdorin transportin publik dhe 242 subjekte të licencuara që operojnë në rrjetin e linjave të transportit ndërqytetës.
Stacionet e ndërmjetme të qëndrimit garantojnë rritje të standardeve të sigurisë rrugore, ulje të numrit të aksidenteve, përmirësim të ofrimit të shërbimit dhe eliminim të konkurrencës së pandershme në transportin ndërqytetës.
Gjithashtu, përmirësimet përfshijnë edhe zgjidhje të problematikës për shtimin dhe heqjen e numrit të orareve në linjat e transportit ndërqytetës, si një nga kërkesat e vazhdueshme të subjekteve, tashmë subjekt i vlerësimit të Komisionit pranë DPSHTRR.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.