Situata nga përmbytjet/Ekonomi: Ndërtimet pa leje kanë bllokuar kanalet e dyta dhe të treta kulluese

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi apeloi sot strukturat e pushtetit vendor të angazhohen për pastrimin e kanaleve të dyta dhe të treta në mënyrë që të mos ketë përmbytje për shkak të reshjeve të shumta në vend gjatë ditëve të fundit.

Gjatë një interviste në medie, Ekonomi tha se në Durrës, Shijak dhe Elbasan vërehet një situatë më e rënduar nga reshjet për shkak të ndërtimeve pa leje mbi kanalet kulluese.

“Në terren, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, kemi vënë re se kanalet kulluese janë zënë nga ndërtimet pa leje. U bëj thirrje strukturave të pushtetit vendor të pastrojnë kanalet e dyta dhe të treta kulluese. Edhe komuniteti duhet të përfshihet në këtë situatë për të zgjidhur këtë problematikë në një periudhë afatgjatë”, deklaroi ministrja.

Në Katund të Ri, në Durrës, ku gjatë këtyre ditëve situata u paraqit problematike, ministrja informoi se është kryer avakuimi i familjeve në rrezik drejt Konvaleshencës si dhe janë në dispozicion elektropompat dhe barkat e shpëtimit. Forcat e Armatosura po ashtu, tha ajo, kanë shpërndarë pako ushqimore për banorët e prekur.

Në Obot, informoi ministrja, po shkon ushqimi për bagëtinë.

Ekonomi theksoi se deri tani, nuk është regjistruar asnjë dëm në kategorinë e blegtorisë.

“Sërish tani kemi nisur një furnizim të ri për zonën e Shkodrës. Me t’u larguar uji, bashkitë përkatëse do të vënë në dispozicion të gjithë ekspertizën që kanë për të parë zonat problematike, për të matur dëmin e shkaktuar”, informoi ministrja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.