SHBA – Biden nënshkruan dekrete për promovimin e barazisë racore

UASHINGTON, 27 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA Joe Biden nënshkroi një seri veprimesh ekzekutive që synojnë promovimin e barazisë racore në SHBA.

Duke folur para reporterëve të Shtëpisë së Bardhë, Biden u zotua të trajtojë racizmin në politikat federale të pasurive të patundshme, të rivendosë ligjin për të drejtat e votës dhe të eliminojë përdorimin e mjediseve të paraburgimit penal, të drejtuara privatisht, ndër veprime të tjera, në një përpjekje për të luftuar efektet e racizmit sistemik.

“Burgjet private përfitojnë nga të burgosurit federalë”, theksoi këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Susan Rice.

”Mbi dy milion persona janë aktualisht të burgosur në SHBA, me një numër disproporcional të njerëzve me ngjyrë pas hekurave”, sipas një raporti të Shtëpisë së Bardhë.

Shumica e njerëzve në burg ndodhen në institucione shtetërore, të cilat nuk preken nga urdhri ekzekutiv i Biden për burgjet federale.

Ai gjithashtu u zotua të drejtojë agjencitë federale për të luftuar ringjalljen e ksenofobisë, veçanërisht kundër aziatiko-amerikanëve, të cilin Biden vuri në dukje se përballej me diskriminimin dhe krimin e urrejtjes gjatë pandemisë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.