RUSI – Parlamenti ratifikon zgjatjen e traktatit New Start

MOSKË, 27 janar /ATSH-AFP/ – Dhoma e Ulët e Parlamentit rus ratifikoi sot zgjatjen për pesë vjet të traktatit të çarmatimit bërthamor ruso-amerikan New Start, pas një marrëveshjeje mes dy rivalëve gjeopolitikë.

Votimi ndodhi pas bisedës së parë telefonike mes presidentit rus, Vladimir Poutine dhe homologut amerikan, Joe Biden. Negociatat mbi traktatin New Start ishin bllokuar nën presidencën e Donald Trump.

“Marrëveshja mes Moskës dhe Uashingtonit është zgjatja për një afat maksimal të mundur, deri më 5 shkurt 2026”, theksoi Douma, në një komunikatë, pas një vote unanime të deputetëve të pranishëm në seancë plenare dhe publikuar në televizion.

Teksti do të shqyrtohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit rus.

Dje në mbrëmje, president Putin i paraqiti këtë projektligj Doumas pas bisedës telefonike me Joe Biden.

Uashingtoni dhe Moska kishin theksuar se një marrëveshje në parim ishte arritur për të zgjatur këtë traktat që do të përfundonte më 5 shkurt.

Zgjatja e vlefshmërisë së tekstit është përparimi i parë i madh diplomatik në vite midis SHBA-së dhe Rusisë, marrëdhëniet e të cilave janë në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme për çështje të shumta ndërkombëtare.

Nënshkruar në 2010, traktati New Start është marrëveshja e fundit për armët bërthamore që lidh të dy vendet./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.