“Rritje të rasteve me COVID, por jo të shtrimeve në spital”/ Epidemiologia Daja për ATSH-në: Qytetarët të ndërgjegjësohen, pandemia s’ka mbaruar

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Rovena Daja, epidemiologe pranë Institutit të Shëndetit Publik, deklaroi sot se, “ne e prisnim një situatë të tillë, por kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Europës duke patur një rritje të numrit të rasteve”.

Në një prononcim për ATSH-në, Daja theksoi se “rritja e numrit të rasteve lidhet me faktin që kemi patur në muajin dhjetor festat e fundvitit, ku njerëzit kanë qëndruar më pranë njëri-tjetrit dhe normalisht rastet do rriteshin”.

“Ndërkohë kemi vënë re edhe një gjë tjetër, që dy javët e para të muajit janar dhe që e vë re edhe tani, njerëzit kujtuan që filloi një vit i ri dhe nuk ka më pandemi, por pandemia nuk ka mbaruar. Po të vini re që ditët e para të janarit njerëzit nuk përdornin më maskat, ishin më të shkujdesur, restorantet ishin plot, lokalet, normalisht njerëzit duan të dalin, por problem është që duke qenë më të shkujdesur në këto momente duke menduar një vit i ri një situatë e re dhe duke qëndruar më pranë njëri-tjetrit janë të gjithë faktorë që ndikojnë në rritjen e rasteve”.

Sipas saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë numri i rasteve ka filluar të rritet.

“Kurba ka filluar të rritet, por shpresojmë që njerëzit do të ndërgjegjësohen dhe me kalimin e ditëve do të shpresoja që numri i rasteve të ulet, por do të shikojmë si do të ecë situata”, – shtoi Daja.

Lidhur me shtrimet në spitale, epidemiologia Daja tha se “rënia e shtrimeve në spitale është një shenjë shumë e mirë. Në ndryshim me herët e tjera kur kishim shtim të numrit të rasteve në nëntor-dhjetor kishim një fluks të madh të pacientëve që shtroheshin gjendje të rëndë për të spitalizuar në spital”.

“Ndërsa tani vëmë re që spitalet nuk kanë fluks të shtrimit të pacientëve. Numri i personave që janë të shtruar aktualisht është i qëndrueshëm. Pjesa më e madhe po e kalojnë COVID-19 pa shenja klinike dhe me shenja klinike të lehta që nuk kanë nevojë për shtrim në spital”, – theksoi Daja, duke shtuar se pjesa më e madhe e të infektuarve janë mosha të reja që e kalojnë më lehtë.

Epidemiologia Daja bëri të ditur se shpresojmë që të marrim sa më shpejt kthesën e uljes së rasteve, por që nuk e kemi arritur akoma, do të shihen në ditët në vazhdim.

E pyetur nëse ka raste të koronavirusit të ri në Shqipëri, Daja u shpreh se “në Shqipëri nuk kemi ndonjë rast të identifikuar, apo ndonjë person të dyshuar me koronavirusin e ri”.

Epidemiologia Daja u bëri apel gjithashtu qytetarëve të vijojnë të përdorin masat mbrojtëse si higjiena personale, maska dhe distanca./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.