“Së bashku me kolegë të ISHP-së po hetojmë rastin tim”/ Mjeku Pipero: Duhet i njëjti kujdes pas dozës së parë të vaksinës si çdo i pavaksinuar

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero rezultoi pozitiv dje në mesditë me Sars Cov 2 (Covid 19), dhe tani ndodhet në kushte shtëpie me trajtim mbështetës.

Lajmi që i ditur nga mediet, u konfirmua edhe nga ai vetë me anë të një statusi në rrjetet sociale, ku tregon edhe se ka simptoma të lehta, por edhe ngarkesë psikologjike, normale në këtë situatë.

“Unë kam mjekuar me qindra qytetarë deri tani, por tashmë jam pacient, dhe një pacient i veçantë, i veçantë për faktin se unë jam infektuar pasi jam vaksinuar”, u shpreh Pipero, duke shpjeguar se mjaft pikëpyetje për këtë fakt janë shpjeguar me ndihmën e kolegëve që sot. Një pjesë tjetër e tyre, sipas Piperos, presin përgjigje.

“Ndaj së bashku me kolegët e Institutit të Shëndetit Publik po punojmë për investigimin e rastit tim me të gjitha aspektet dhe së shpejti besoj do kemi një përgjigje të plotë”, shprehet ai.

“Rasti im nuk është dhe nuk do të jetë i vetmi, por në vendin tonë ndoshta është i pari, pasi raste të tilla janë raportuar në shumë vende të botës, veçanërisht në Izrael, ku është vaksinuar më shumë se 30 % e popullsisë, dhe kjo ndodh e mund të ndodhë mbas marrjes së dozës së parë të vaksinës, pasi duhen së paku 2 javë të fillojë prodhimi i antitrupave,(për  hir të së vërtetës analizat serologjike të bëra në disa laboratorë, përfshirë dhe Laboratorin Virologjik të ISHP konfirmojne IgG pozitive në rastin tim) dhe në fund të javës së tretë niveli i imunitetit arrin 70-80 %, e një javë pas dozës së dytë mbrojtja është e sigurtë dhe maksimale”, shpjegon mjeku Pipero.

Ndaj, sipas tij, është shumë e nevojshme që pas dozës së parë të vaksinës të vazhdojmë të kemi të njëjtin kujdes si çdo person i pavaksinuar.

“Kjo këshillë vlen për të gjithë, sot për bluzat e bardha në proces vaksinimi, dhe nesër edhe për qytetarët deri në marrjen e dozës së dytë të vaksinës, u shpreh Pipero. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.