“PS ka aleatë vetëm njerëzit e zakonshëm”/ Balla: Programi ynë në implementim të përditshëm me prioritete madhore të Shqipërisë

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi sa më i mirë i situatës së pandemisë dhe zhvillimi i ekonomisë janë tre prioritetet e PS.

Balla u shpreh sot në një intervistë televizive se, “jo vetëm do të rikonfirmojmë 74 mandate, por në rivlerësimin tim do të jenë dhe më shumë, sepse qytetarët shqiptarë nuk mund të rikthehen dhe nuk mund ta konsiderojnë këtë ndryshim në Shqipëri të kthehesh tek Iliri, tek Saliu, tek Monika dhe Luli i shkretë”.

“Ajo që ne na intereson ndaj qytetarëve shqiptarë është që procesi i Rindërtimit po ecën në mënyrë të shkëlqyer. Në të gjitha kantieret e ndërtimit ne jemi në një proces shumë të avancuar. Sinqerisht e them para çdo qytetari nuk do e kisha menduar që në 27 janar të 2021-it rindërtimi të ishte në këtë fazë. Jam shumë krenar që kemi arritur që qytetet e reja në Laç, në Durrës apo në Shijak, në Manzë të ishin në këtë fazë të avancuar. Dhe sikurse e kemi thënë ky është objektivi ynë”, u shpreh Balla.

“E dyta, ka të bëjë me qasjen dhe gjendjen që kemi përballë ndaj armikut të padukshëm COVID-19. Unë mendoj që shqiptarët dhe qeveria e kemi përballuar më së miri këtë situatë”, tha Balla.

“E treta, është ekonomia. Këto të trija janë shqetësimet e mia dhe janë prioritetet tona. Ekonomia për fat të mirë po ecën mirë. Procesi i rimëkëmbjes së ekonomisë pas goditjes globale që mori ekonomia botërore gjatë vitit 2020, po ecën më së miri”, tha Balla.

Balla iu bëri thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar naftën me akcizë, pasi afati i fundit është 25 shkurti.

“I lutem çdo fermeri të shkojë dhe të aplikojë për naftën për akcizë. Nuk është një proces që zgjat gjatë gjithë vitit, përfundon më 25 shkurt. Duhen vetëm dy dokumente të thjeshta, një të hapësh një nipt online dhe nuk kushton asnjë para, dhe e dyta, atë tapinë që ke në letrat e babait mjafton t’i bësh një foto”, tha Balla.

Balla tha se, “nafta pa akcizë është një premtim që më vjen mirë që arritëm ta mbajmë në kushtet e një situate si kjo”.

“Ndërkohë që në të njëjtin vit kemi rritur me 40 % pagat e mjekëve, kemi rritur pagat e infermierëve, kemi rritur pagat e mësuesve dhe kemi arritur të jemi një ndër qeveritë e pakta që rimbursojmë edhe mjekimin në shtëpi të të sëmurëve me COVID”, theksoi Balla.

“Procesi i rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare po ecën mirë dhe të dhënat e para të muajit janar, të cilat nuk janë procesuar ende nga institucionet vlerësuese, tregojnë që Shqipëria e ka kaluar pjesën e vështirë dhe jemi në atë pjesën që mund të shohim që në fund të tunelit kemi një dritë, qoftë për sa i përket numrit dhe qasjes dhe përballjes me pandeminë, por qoftë dhe procesi i rimëkëmbjes, të cilat po ecin të dyja në mënyrë të njëtrajtshme”, tha Balla.

Në lidhje me raportin e Bankës Botërore, Balla tha se, “nëse lexoni të njëjtin raport, i njëjti raport thotë që ekonomia amerikane është më keq se ç’ishte në krizën e vitit 2018”.

“Ekonomia më e madhe në botë, numri 1 në botë. Pra, nëse ne na paska kthyer 8 vite, që nuk është ky leximi i këtij raporti, ata i paska kthyer 12 vite pas, 13 se mos bëjmë gabimet matematikore të Lulit. Në këtë këndvështrim, mendoj që ekonomia shqiptare, e cila pësoi dy goditje, për shkak të procesit të rindërtimit ne kemi në sektorin e ndërtimit një rritje shumë të madhe. Nuk jam unë që e them, por i gjithë sektori i ndërtimit dhe aktorët e lidhur të ndërlidhur në këtë sektor mund ta konfirmojnë”, u shpreh Balla.

“Ndërkohë që kemi edhe prodhimin vendas. Për shkak të goditjes që pati sektori fason, që të gjithë biem dakord që ishte i goditur në nivel global dhe i janë rikthyer pjesa më e madhe e kontratave. Unë jam deputet i Elbasanit dhe si i tillë jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha ndërmarrjet, të cilat japin vende pune për qytetarët e nderuar të qarkut Elbasan dhe mund t’ju them se pothuajse të gjithë janë rikthyer në kontratat e tyre dhe mirëpres çdo rast dhe çdo ndihmë që duhet t’i japim”, tha Balla.

“Në qarkun e Elbasanit, vetëm gjatë vitit 2020, qeveria shqiptare ka ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me pagat e luftës, 12 mijë paga lufte, ose rreth 5 mijë subjekte, të cilat janë kryesisht familjarë të punësuar, bashkëshorti dhe bashkëshortja apo njëri prej fëmijëve, të cilëve padyshim biznesi iu godit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe për 2, 3 apo 4 paga mujore ishte shteti shqiptar që pagoi para për ta”, tha Balla.

Duke u ndalur tek programet për zgjedhjet e 25 prillit, Balla tha se, “ka një subjekt elektoral që ka marrë programin e para 10 viteve dhe ka ndryshuar kartonin dhe ka dalë këto ditë me program”.

“Ka dalë dhe Luli me programin e tij. Ne nuk hyjmë në këtë debat fare, se nuk kemi kohë të fillojmë të diskutojmë se ç’premton Luli e ç’premton Mona. Luli e Mona janë të gatshëm t’iu premtojnë qytetarëve shqiptarë parajsën. Monika parajsën e parë nga një aspekt tjetër dhe Luli parajsën e parë nga eksperienca e tij holandeze. Ne nuk jemi në konkurrim me ta dhe ky është një dallim shumë i madh. Pra nuk bëhet fjalë programi ynë, programi i atyre”, u shpreh Balla.

“Ne kemi një program që është në implementim të përditshëm, i cili ka disa prioritete të cilat vazhdojnë të jenë prioritete madhore të Shqipërisë. Ne kemi një garë jo me këta, por me pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë ndaj nesh”, u shpreh Balla.

“Unë jam kreu i grupit parlamentar të PS dhe jam i vetëdijshëm që ne nuk kemi arritur të përmbushim dot të gjitha pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, por unë jam shumë i bindur që qytetarët shqiptarë të kuptojnë farë mirë që është vetëm alternativa e PS, e cila mund të vazhdojë ta mbajë trenin në shinat e vendosura, ku rezultatet e deritanishme në shumë sektorë kanë qenë domethënëse”, theksoi Balla.

“Ne kemi arritur që në këto 7 vite e gjysmë qeverisje të ndërtojmë shtet në Shqipëri, të ndërtojmë një shtet që kujdeset për qytetarët evet. Jemi përpjekur të mos lëmë askënd vetëm dhe i kemi thënë kujtdo që i ka rënë një hall apo problem sikurse ishte tërmeti, “ti nuk do jesh kurrë vetëm”, dhe nuk i lamë vetëm. Teksa ra pandemia nuk lamë vetëm asnjë familje të varfër dhe asnjë familje pensionistësh të cilët qëndronin në shtëpi sepse ne do të kujdesseshim për t’i dërguar barna dhe ushqime. Padyshim kjo është PS, e cila në dallim nga të gjithë nuk ka aleatë. Aleatë ka vetëm njërëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm, me të cilët ne jo vetëm do të rikonfirmojmë 74 mandate, por në rivlerësimin tim do të jenë dhe më shumë”, përfundoi Balla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.