Projekti “TechHubs”/ MASR dhe UNICEF partneritet për të mbështetur nxënësit nga grupet e margjinalizuara

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe përfaqësuesi i “UNICEF” në Shqipëri dr. Roberto De Bernardi vizituan shkollën 9-vjeçare “Hamit Mullisi” në Elbasan.

“Shkolla 9-vjeçare “Hamit Mullisi” në Elbasan është një prej 12 shkollave përfituese të projektit TechHubs nga partneri ynë i përhershëm e besnik UNICEF Albania, për të mbështetur të mësuarit e sigurt në epokën digjitale tek fëmijët që vijnë nga grupet e margjinalizuara”, u shpreh ministrja Kushi.

Kushi nënvizoi se, “pajisja me tableta për nxënësit e mësuesit, tabelat Smart, aftësimi digjital dhe trajnimet TIK janë pjesë e kësaj iniciative ambicioze që mbështet drejtpërdrejt prioritetin tonë madhor të gjithëpërfshirjes”.

Kushi dhe De Bernardi kanë ndjekur gjithashtu nga afër edhe mënyrën se si nxënësit dhe mësuesit po përdorin platformën “Akelius” për të mësuar gjuhën angleze falë përdorimit të tabelave Smart dhe tabletave të dhuruara nga “UNICEF Albania”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.