Meta: Braktisje e qëllimshme e bujqësisë dhe turizmit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar sot gjatë një interviste televizive për atë që e cilësoi daljen e Shqipërisë nga shinat e procesit të integrimit europian, sikundër siç tha ai, “për daljen nga shinat kushtetuese të gjithë shtetit”.

“Jam mjaft i shqetësuar dhe i brengosur prej vitesh për fenomenin e shpopullimit të Shqipërisë, për mosdhënien e mundësive të rinjve për të qendruar në vend, për të mos investuar në edukimin e tyre më cilësor sipas kërkesave të tregut të punës, si  dhe për të mos iu siguruar atyre një perspektivë me punë më të mirëpaguar”, vijoi Meta.

Po ashtu, ai u ndal edhe te bujqësia dhe turizmi.

“Duhet të shpreh shqetësimin tim për braktisjen e qëllimshme të  bujqësisë dhe të turizmit. Nëse do të vëmë re politikat mbështetëse, ato kanë qenë tepër fiktive dhe propagandistike, që në thelb i përjashton dhe nuk i mbështet fermerët”, tha Meta.

“Mbështetja nga Buxheti i Shtetit ka qenë mëse minimale, gati dhjetë herë më pak sesa Maqedonia, apo gjashtë herë më pak se Kosova. E thënë më qartë, japim mbështetjen më të ulët për fermerët, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit”, vijoi Presidenti.

Ndërkohë, sipas tij, potenciali për prodhimin bujqësor, blegtoral, për industrinë agro-ushqimore i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm.

“Vendi ka nevojë për të investuar në bujqësi, në turizëm,  në agro-turizëm, në këto sektor që janë jetik për Shqipërinë dhe njëkohësisht janë të lidhura dhe më shumicën e familjeve shqiptare nga Saranda e deri në Tropojë. Ky është potenciali më i madh që ka Shqipëria dhe që mund të sigurojë një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit”, tha Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.