Marrëveshja me Pfizer për sigurimin e vaksinës antiCOVID/ Meta dekreton tre ligje

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje, tre ligjet për marrëveshjen me “Pfizer” për sigurimin e vaksinës antiCovid.

Me anë të një njoftimi, zyra e shtypit e presidencës bën të ditur se Presidenti Meta ka dekretuar ligjin “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave “Për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës anticovid-19, të cilët janë të certifikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe/ose Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me këtë vaksinë””.

Meta dekretoi ligjin “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë””.

Gjithashtu, Meta dekretoi ligjin “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar për “Prodhimin dhe furnizimin ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik””.

Presidenti i Republikës, i bën thirrje qeverisë, që nëpërmjet një plani të qartë dhe efikas të angazhohet seriozisht me të gjitha burimet, për mbulimin e nevojave të popullsisë për vaksinim, brenda një kohe sa më të shkurtër dhe përmes një protokolli shëndetësor të sigurt, që garanton ruajtjen e vaksinës në parametra të sigurt, me qëllim efektivitetin e saj.

Kreu i Shtetit thekson domosdoshmërinë e informimit të duhur të qytetarëve për vaksinën dhe karakteristikat e saj, sipas rregullave, që normojnë këtë proces me kaq rëndësi.

Transparenca është thelbësore në demokraci, veçanërisht në luftën kundër kësaj pandemie tepër të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.