TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një takim sot me votues për herë të parë në Lushnje, tha se programi i LSI-së ka 5 prioritete në 5 muajt e parë të qeverisjes.
“Dy pika tonat kryesore janë dy pikat e arsimit. Njëra është “Mëso dhe Fito” për të gjithë ju që jeni qoftë maturantë apo në shkolla profesionale, apo edhe për ata që janë studentë në kuadrin e përgatitjes së tyre për të pasur një profesion gjatë kohës që bëjnë shkollën edhe punojnë, pra edhe ndihmojnë familjet e tyre”, tha ajo.
Ndërkohë, Kryemadhi tha se pika tjetër është taksa e të ardhmes, që ne e quajmë 1%, që vendoset për kompanitë VIP. “Kjo 1% shkon vetëm për arsimin. Sepse një nga problemet kryesore që ne kemi kuptuar sot, është mungesa e profesionistëve në tregun e punës, por edhe në konkurrencën me të gjitha shtetet e tjera”, shtoi ajo.
Kryemadhi tha se këto pika erdhën si rezultat i diskutimeve me pedagogë të universiteteve, me mësues edhe shumë studentë, të rinj e të reja që punojnë jashtë shtetit dhe që e shikojnë të domosdoshëm fuqizimin e arsimit shqiptar.
“Lushnja quhet hambari i Shqipërisë, për sa i përket bujqësisë dhe rritjes profesionale apo mundësisë së kapaciteteve që do t’i duhen Shqipërisë në të ardhmen në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë”, tha ajo.
Ndaj Kryemadhi tha se “për fermerët propozimi ynë është për të pasur prodhim vendas me zero % TVSH”.
“Kjo do të thotë që shqiptarët të prodhojnë shqip, të konsumojnë shqip dhe të fitojnë shqip. Pra prodhimet e fermerëve të Lushnjës, Beratit, Gjirokastrës, Korçës etj., të mos hidhen në plehra, por të konsumohen”, tha ajo. /m.m/j.p/