Kryebashkiaku Arbana: Situata në përmirësim, dëmshpërblim për të gjitha familjet e përmbytura në Shijak

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Shijaku ka qenë një nga zonat e prekura nga përmbytjet, ku si pasojë e reshjeve të shumta gjatë janarit, ka dalë nga shtrati lumi Erzen.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana në një intervistë për median, u shpreh se,  “aktualisht situata e krijuar nga reshjet intensive gjatë ditëve të fundit është drejt përmirësimit “.

Ai ndau lajmin e mirë për dëmshpërblim e të gjitha familjeve të prekura nga përmbytjet në Shijak.

“Bashkia e Shijakut ka nisur punën e llogaritjes së dëmeve të shkaktuara dhe shumë shpejt do të mundemi të dëmshpërblejmë të gjitha këto familje. Për këtë dua të falenderoj për mbështetjen e padiskutueshme dhe të vazhdueshme që po na japin Kryeministri Edi Rama dhe qeveria shqiptare”, tha ai.

Sipas tij, ka vetëm një familje të evakuar si pasojë e përmbytjeve, të cilën bashkia e ka strehuar te Konvaleshenca.

Po punohet për të kthyer në normalitet situatën e krijuar, për rreth 13 familje që patën probleme në shtëpitë e tyre me daljen e lumit Erzen nga shtrati, theksoi kryebashkiaku.

Duke u ndalur në sfidat që i është dashur të përballojë si kryebashkiak, në një kohë kaq të shkurtër, Arbana tha se vërtet që dy tërmetet ishin një sfidë e madhe, më pas kufizimet e pandemisë dhe tani përmbytjet.

“Forca ime buron nga dëshira dhe pasioni që kam për t’i shërbyer të gjithëve. Shijaku është qyteti im i zemrës, dua më të mirën për të gjithë banorët e tij, dua ta shikoj një ditë Shijakun ashtu siç e meriton të jetë, me transformim europian. Prandaj po punoj fort, së pari duke dhënë shembullin tim. Në përballimin e këtyre sfidave të mëdha që na duhet të kalojmë, përveç vullnetit tim si kryebashkiak, kemi pasur dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama që po ndihmon Shijakun të ringrihet pas tërmetit dhe përmbytjeve. Suksesi im është suksesi i të gjithë atyre që jetojnë në Shijak për të pasur një qytet të bukur”, deklaroi ai.

Arbana u shpreh se do të dëmshpërblehen të gjithë banorët që kanë pasur dëme nga përmbytjet.

“Bashkia e Shijakut që sot ka ngritur grupin e punës për të llogaritur dëmet e shkaktuara si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen gjatë muajit janar. Ashtu siç kemi vepruar dhe me dëmshpërblimet për tërmetin e 26 nëntorit, ku asnjë familje e prekur nuk është ndjerë vetëm, ashtu do t’i japim mbështetjen tonë dhe tani”, theksoi kryebashkiaku.

Ai tha se “zyra e projekteve në bashki ka përfunduar projektin për ngritjen e argjinaturës së lumit Erzen dhe për rivitalizimin e zonës. Ne shpresojmë që të kemi mundësinë ta realizojmë sa më shpejt këtë projekt madhor dhe mendoj se kjo do të jetë një nga sfidat tona në vazhdim”.

Arbana u bëri apel të gjithë banorëve të Shijakut se nuk janë vetëm në problemet e tyre.

“Bashkia e Shijakut do të punojë gjithmonë për zgjidhjen e problemeve. Kryeministri Rama dhe qeveria kanë qenë një mbështetje e madhe për ne, pasi të vetëm si institucion vendor nuk mund të arrinim të sillnim gjithë këto ndryshime për Shijakun. Pavarësisht situatës së përmbytjeve në njësinë administrative Gjepalaj ne kemi përfunduar shtëpitë individuale të 20 familjeve. Ndërkohë që kopshti nr.1 Shijak ka përfunduar. Shumë shpejt fëmijët do të kenë kushte bashkëkohore për të kaluar një pjesë të ditës, sepse ata meritojnë më të mirën dhe ne po ia japim”, u shpreh Arbana. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.