Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese shqyrton paketën ligjore për hekurudhat

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi sot një paketë prej katër projektligjesh të rëndësishme në fushën e ekonomisë: “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”; “Për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor”; “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha shqiptare” sh.a.” dhe “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore dhe detare”.

Të ftuar për prezantimin e këtyre projektligjeve ishin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, zëvendësministri Etjen Xhafaj, Eltar Deda, Thimjo Plaku dhe Ahmet Allamalli, si dhe Ani Dyrmishi, administrator i Hekurudhave sh.a.

Zëvendësministri Xhafaj në prezantimin e kësaj pakete ligjore u shpreh se këto projektligje janë në përputhje të plotë me Kodin Hekurudhor të miratuar në vitin 2018, për ndarjen e Hekurudha sh.a dhe krijimin e Autoritetit Rregullator, për ta rikthyer këtë institucion dhe të gjithë operatorët në tregun e hekurudhave shqiptare në standardet e BE-së.

“Parimet bazë që shprehin këto 4 ligje marrë nga Kodi Hekurudhor dhe synimet kryesore të kësaj pakete ligjore janë: hapja e tregut hekurudhor dhe sigurimi i zhvillimeve teknologjike për një transport ndërveprues të sigurt, të cilat kërkojnë nga ana e tyre garantimin e këtij tregu”, theksoi ndër të tjera Xhafaj.

Relatorja, Eglantina Gjermeni tha se e gjithë kjo paketë i paraprin investimeve vendase apo të huaja, por edhe vendos gjithashtu disa standarde sipas standardeve Evropiane.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës të komunikimit virtual “Cisco Webex”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.