Kavajë/ 73.6 milionë lekë për hartimin e projektit për rehabilitimin e objekteve të dëmtuara rëndë nga tërmeti

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese/ përshtatëse, të nevojshme për kthimin e strukturës së objekteve që janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore në bashkinë Kavajë.

Sipas kërij vendimi qeveria miratoi përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 73 699 921 lekë pa TVSH.

Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, dhe i transferohet në formën e transfertës së pakushtëzuar Bashkisë Kavajë.

Për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kavajë. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.