JAPONI – Suga: Sistemi shëndetësor jashtë kontrollit për shkak të Covid-19

TOKIO, 27 janar /ATSH-AA/ – Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga pranoi se nuk mund të kontrollonte siç duhej sistemin shëndetësor në kuadër të luftës kundër koronavirusit.

Kryeministri Suga në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve iu përgjigj pyetjes së deputetes së Partisë Demokrat të opozitës, Kiyomi Tsujimoto lidhur me “të prekurit nga COVID-19 të cilët kthehen në shtëpi dhe të cilët humbin jetën pasi nuk gjejnë vende në spital”.

“Është detyra jonë të aktivizojmë sistemin pas ardhjes në spital. Më vjen shumë keq që nuk kam mundur të kontrolloj sa duhet sistemin si pjesë e detyrës time. Populli shqetësohet nga mungesa e sistemit për të siguruar shërbim mjekësor”, tha Suga.

Pasi informoi se është i vetëdijshëm se ka shqetësime të ndryshme në popullatë në lidhje me Olimpiadën e Tokios dhe Lojërat Paralimpike, Suga vuri theksin se pavarësisht kësaj janë marrë masat e nevojshme dhe se do të vazhdojnë përgatitjet për “turne të sigurt”.

Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, në 11 rajone ku zbatohet gjendja e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, presin radhën për t’u shtruar në spital ose të vendosen në hotel mbi 15 mijë të prekur të cilët kanë rezultuar pozitivë në testin për virusin.

Sipas kësaj, thuhet se presin në radhë 7 500 persona në Tokio, 1 169 në Saitama, 2 328 në Chiba dhe 1 410 në Osaka.

Derisa të prekurit nga koronavirusi janë detyruar të presin nëpër shtëpitë e tyre për shkak të problemit të kapaciteteve, thuhet se disa persona kanë humbur jetën në këto kushte.

Në Japoni numri i rasteve me COVID-19 ka arritur në 373 043 ndërsa numri i viktimave në 5 311.

Në mbarë vendin në shërbimin e kujdesit intensiv në trajtim janë 996 persona. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.