Dita Ndërkombëtare e Holokaustit/ Rama: Një arsye për t’u ndjerë krenarë për Shqipërinë dhe për shqiptarët

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Dita Ndërkombëtare e Holokaustit është një arsye për t’u ndjerë krenarë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e kohës më të zezë për Europën.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit.
Kreu i qeverisë tha se shqiptarët bënë histori duke marrë në mbrojtje hebrenjtë.
“Dita Ndërkombëtare e Holokaustit është një arsye për t’u ndjerë krenarë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e kohës më të zezë për Europën, që bënë histori duke marrë në mbrojtje hebrenjtë kur makineria më e madhe shfarosëse e historisë së njerëzimit, i griu bijtë e Izraelit si të ishte një makinë mishi e prodhuar në fundin e ferrit! I paharruar përjetë kujtimi i viktimave të Holokaustit”, – thekson Rama.
Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi në vitin 2005, 27 Janarin si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, në nderim të viktimave ‪të Holokaustit./k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.