Autoriteti i Dosjeve publikon dosjen e Sigurimit që survejonte hebrenjtë gjatë diktaturës

TIRANË, 27 janar /ATSH – I. Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi dosjen e Sigurimit të Shtetit që survejonte hebrenjtë gjatë diktaturës.

Sot është Dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të holokaustit. Qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është i mirënjohur në histori, i dokumentuar dhe përkujtuar.

“Zgjedhjet e përveçme të shqiptarëve për t’i ndihmuar hebrenjtë, që nga Dom Shtjefën Kurti që i pagëzoi për t’u shpëtuar jetën (i cili sot rezulton i zhdukur) e shumë të tjerëve që u investuan personalisht dhe zyrtarisht, u japin vend nderi krah popujve dhe qytetarëve të tjerë të të gjithë botës që përkrahën dinjitetin njerëzor përballë autoritarizmit”, thuhet në njoftim.

Në AIDSSH administrohen dosje të Sigurimit të Shtetit që survejonte hebrenjtë gjatë viteve të diktaturës deri në perëndimin e saj, fillimin e ’90-ës, të cilat mund të vihen në dispozicion të të interesuarve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.