Arsimi profesional/ Të rinjtë angazhohen në punë ndërsa vijojnë studimet

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për të adresuar në mënyrë sistematike punësimin duke riorientuar sistemin e arsimit dhe trajnimit drejt nevojave të tregut të punës. Arsimi dhe Formimi Profesional cilësor ku ndërthuret trajnimin teorik me praktikën në punë, sipas MFE-së, është një nga mjetet më të rëndësishme që do të përdorim për të rimëkëmbur ekonominë tonë pas pandemisë dhe për të siguruar kalimin në një ekonomi digjitale dhe të gjelbër.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi sot historinë e Kesit, e cila është nxënëse në Shkollën e Mesme Teknologjike “Hysen Çela”, në Durrës.

“Kesi është e angazhuar në punë, me kohë të pjesshme, falë bashkëpunimit shkollë-biznes. Ka zgjedhur të studioj në profilin teknologji – ushqimore dhe të punojë në një subjekt në sektorin e hoteleri-turizmit”, tha Denaj.

Shqipëria ka sot numrin më të lartë të personave në tregun e punës që janë me moshë mesatare të re. 57 % e tregut të punës në Shqipëri vjen me moshë mesatare 30-31 vjeç. Po ashtu ofron arsim profesional falas dhe të rinjtë janë të aftë që në moshën 19 vjeç të hyjnë në marrëdhënie pune.

Në buxhetin e vitit 2021 për mbështetjen e arsimit profesional janë akorduar 3.3 miliardë lekë. Në të gjithë vendin janë 35 shkolla publike të arsimit profesional dhe janë të regjistruar 27 mijë nxënës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.