21 Janari/ Balla: Berisha donte manipulimin e ngjarjes, synonte asgjësimin e opozitës

TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ “Vrasjet në 21 Janar kanë ndodhur pasi njerëzit kanë filluar të largohen dhe nëse nuk do të kishin dalë pamjet në televizione ajo që do të kishte ndodhur do të ishte asgjësimi i opozitës në Shqipëri, pasi Sali Berisha doli menjëherë me versionin se vrasjet i organizoi opozita”.

Kështu u shpreh sot në një studio televizive, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke folur për ngjarjet e 21 Janarit.

“Nuk e di se çfarë roli luante Basha në taracën e kryeministrisë sepse nuk di që ministri të ketë detyra operacionale në një ngjarje të tillë. Vrasjet e 21 Janarit ishin paralajmëruar një ditë më parë qoftë nga Ilir Meta, i cili zotohej se institucioni do të mbrohej me të gjitha mjetet dhe në rast se nevojitej do të përdoreshin armët dhe i dyti Sali Berisha, i cili ka rrahur gjoksin në një studio televizive dhe thoshte unë ja kisha të bërë të ditur Edi Ramës dhe PS-së, madje kisha vendosur snajper dhe do të qëlloja mbi opozitën”, tha Balla.

Balla tha se “vrasjet kanë ndodhur pasi njerëzit kanë filluar të largohen. Sali Berisha planin me çadra pistoletë e organizoi për të vrarë opozitën duke thënë që vrasjet i organizoi vetë opozita. Nëse nuk do të kishin dalë pamjet në televizione, ajo që do të kishte ndodhur do të ishte asgjësimi i opozitës në Shqipëri. Ky ishte plani i Sali Berishës për të vrarë njerëzit ndërkohë që tërhiqeshin”, tha Balla.

Ai theksoi se “predha në trupin e Aleks Nikës është pa asnjë dyshim e dalë nga arma e Ndrea Prendit. Mund të jetë një element që mban gjallë shpresën e vendosjes së drejtësisë. Nëse Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria do të kryejnë detyrat, zinxhiri nga vrasësi te urdhëruesi është shumë e thjesht”.

Balla tha se mazhoranca ka përgjegjësi për t’i shkuar kësaj ngjarje deri në fund. “Aspak  e vërtetë që PS përfiton nga moszbardhja e saj, përkundrazi. Unë kam qenë në shesh, plumbi mund të më kishte marrë mua dhe mori Aleksin. Ne kemi përgjegjësi për të shkuar deri në fund”, tha ai.

Balla tha se “me ministër të Brendshëm Lulzim Bashën, prokurorët nuk janë lënë të zbatojnë urdhrat e tyre. Predha e gjetur në trupin e Nikës, i cili u dërgua në Turqi por nuk i mbijetoi dot plagës është dëmtuar në institucionet e shtetit të drejtuar nga Basha dhe Berisha. Ka edhe shumë elementë të tjerë që drejtësisë së re ja kanë bërë të vështirë hetimin”.

Balla tha se “pyetja për 21 Janarin nuk është kush i vrau, se kjo e ka marrë përgjigje i ka vrarë Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, janë vërtetuar”.

“Këtu nuk bëhet fjalë kush ka qëlluar, por a ka pasur një zinxhir urdhërues. Elementi i ri është se urdhrat kanë dalë nga zyra e Sali Berishës. Në dosjen ku është gjetur fajtor Ndrea Prendi dhe Llupo ka një moment ku thuhet se i kemi kërkuar Bashës mbështetje. Jemi në një vend ku drejtësia më ka marrë mua në pyetje si organizator i protestës, dhe ende nuk është marrë në pyetje një herë të vetme personi që ka rrahur gjoksin që i kam vrarë unë”, tha Balla.

Ai theksoi se “asnjë nga gjyqtarët e 21 Janarit nuk është në sistemin e drejtësisë, ose kanë ikur ose i ka këputur Vetingu. Ky është element për të kuptuar se këto çështje janë gjykuar nga njerëz të kapur nga sistemi i vjetër”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.