Zgjedhjet e 25 prillit/ Vasili: Nuk i kemi mbyllur derën askujt që e gjen veten tek opozita e bashkuar

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se “LSI ka një marrëveshje politike me të gjithë aleatët e PD-së dhe negocimi është drejt përmbylljes dhe mbetet për t’u parë se si do të vijojë”.

I ftuar në një studio televizive, Vasili foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe programin politik të LSI-së.

“Çdolloj interesi politik po diskutohet në mënyrë konfidenciale. Ne nuk i kemi mbyllur derën askujt që e gjen veten tek opozita e bashkuar. Vendi ose zgjidh problemin në 25 prill dhe shpëton nga gremina ose rrugë tjetër nuk ka”, tha ai.

Duke folur për programin e LSI-së, Vasili theksoi se rimëkëmbja e ekonomisë mbetet prioritet i LSI-së, ndërsa shtoi se goditja në zemër e problemit është përgjigja më e mirë.

“Shpopullimi është një fenomen që kërkon zgjidhje. Mënyra se duhet të nxjerrim ekonominë nga kjo greminë ku është dhe të bëjmë gjithçka që të mos largohen të rinjtë. Arsimi është një tjetër shtyllë e rëndësishme. Nuk mundet që të rinjtë të diplomohen dhe të marrin rrugët e botës. Barra e borxhit po i thyen këmbët ekonomisë. Bujqësia është një tjetër pikë e rëndësishme e programit tonë. Mbështetja e fortë financiare deri në 200 milionë euro në vit do të thotë të krijohen kushtet optimale për bujqësi”, tha ai.

Ndërkohë, ai theksoi se “shëndetësia duhet ringritur, dhe kjo e sotmja u vu në një provë të fortë me pandeminë, u përdor si propagandë”./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.