Vetingu/ KPA lë në fuqi shkarkimin e kryetares së Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro

TIRANË, 26 janar /ATSH/ KPA konfirmoi vendimin e shkarkimit nga detyra të Enkeledi Hajros, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vitin e kaluar.

Kështu, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Enkeledi Hajro, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në ligjin, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Enkeledi Hajro.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm, njofton KPA.

e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.