Vaksinat antiCovid/ Rakacolli: Vaksinimi vazhdon, e sigurtë doza e dytë për personelin mjekësor

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha sot se “vaksinimi me vaksinën ‘Pfizer’ po vazhdon dhe është e sigurtë doza e dytë për ata që kanë marrë dozën e parë. Jemi duke diskutuar çdo ditë me ‘Pfizer’ dhe vaksina do jetë e pranishme për t’u bërë brenda afatit”.

Në një intervistë televizive Rakacolli tha se “kjo vjen për shkak të kapaciteteve, sepse kërkesa është shumë e madhe dhe me plotësimin e kapaciteteve do kompensohet vonesa dhe kështu besoj se nuk do ketë pengesa edhe për vendin tonë”.

“Vaksinimi po vazhdon ndërkohë është e sigurt dhe doza e dytë për ata që kanë bërë të parën. Nuk do ketë ndërprerje. Siç tha Kryeministri Rama jemi në komunikim të vazhdueshëm me ‘Pfizer’, që nuk na ka thënë që nuk do e respektojmë kontratën. Arsyeja e vonesës nuk është vetëm për ne, por në të gjithë botën”, tha Rakacolli.

Zv.ministrja Rakacolli u shpreh se “procesi i ndjekjes së vaksinimit ka qenë shumë i rëndësishëm dhe ka qenë vetë Kryeministri që ka shkuar e ka negociuar me ‘Pfizer’. Rëndësi ka që vaksina po vjen këtu, njerëzit po e marrin njësoj si ato që janë në Europë dhe më mirë se pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor”.

“Përveçse sukses dhe përgjegjshmëri e qeverisë për të kontrolluar pandeminë, unë nuk di që t’i vë emër tjetër”, – shtoi Rakacolli.

E pyetur se kur vjen vaksina, Rakacolli tha se “nuk mund të jap një afat, por mund të them se kjo punë patjetër do të realizohet, procesi do të vazhdojë. Brenda shkurtit do të vijnë, por të presim se ende nuk ka mbaruar janari”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.