Titulli “Mjeshtër i madh” për basketbollistët Artan Terihati dhe Pjerin Bushati

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Presidenti Ilir Meta nderoi gjatë një ceremonie solemne me titullin “Mjeshtër i Madh” dy basketbollistët e shquar të “Partizanit” dhe të ekipit tonë kombëtar, Artan Terihati dhe Pjerin Bushati.

Kreu i Shtetit dekoroi basketbollistin Artan Terihati, me motivacionin: “Për talentin edhe përgatitjen të gjithëanshme, të treguar në lojën e basketbollit, duke dëshmuar aftësi të spikatura si basketbollist dhe trajner me skuadrën ‘Partizanit’ dhe Ekipin Kombëtar. I dalluar për lojën cilësore dhe korrektësinë e tij në fushën e lojës”.

Ndërsa basketbollisti Pjerin Bushati u vlerësua me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në sportin e basketbollit, si një lojtar i talentuar, protagonist në shumë suksese të skuadrës së ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar, në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Në fjalën drejtuar familjarëve, ish-kolegëve basketbollistët dhe personaliteteve të basketbollit të ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar, Presidenti Meta tha se “Artan Terihati dhe Pjerin Bushati kanë një kontribut të çmuar në rezultatet e larta të ekipit të ‘Partizanit’. Rrugëtimi i tyre si basketbollistë ka qenë pothuajse i njëjtë në karrierën e tyre sportive”.

“Lojtarë të talentuar, me cilësi të spikatura në basketboll, të cilët kanë luajtur me dinjitet përkrah shumë emrave të mëdhenj të basketbollit të ‘Partizanit’ dhe atij Kombëtar. Titujt e fituar nga këta basketbollistë, janë rreth 13 tituj kampionë, shumë Kupa Republike, fitues të medaljeve të arta në spartakiada kombëtare dhe njëkohësisht të shumë trofeve të tjerë”, – nënvizoi Meta.

Kreu i Shtetit u shpreh se “sukseset e tyre pasqyrohen edhe në aktivitetet ndërkombëtare, ku kanë zhvilluar mbi 50 ndeshje, me ekipe të njohura, por edhe me ekipin tonë kombëtar. Puna dhe sukseset e tyre nuk ndalen vetëm në karrierën si lojtarë, por ata vazhdojnë të jenë të suksesshëm dhe si trajnerë të basketbollit”.

“Një urim të përzemërt sot do të donim t’i përcillnim trajnerëve e  mësuesve tuaj të mrekullueshëm. Një mirënjohje për gjithmonë për Qemal Shalsin, Njazi Lleshin, Muhamet Përmetin dhe padyshim edhe trajnerin e sukseseve të mëdha të kësaj skuadre, Astrit Greva. Artan Terihati dhe Pjerin Bushati gëzojnë një respekt të veçantë në komunitetin e basketbollit dhe të sportit, jo vetëm si  basketbollistë të niveleve të larta, por edhe si trajnerë të përkushtuar të brezave të rinj”, – tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “këto janë momente, që na bashkojnë të gjithëve, në promovimin e vlerave më të mira sportive dhe një thirrje për angazhim për të gjithë të rinjtë e basketbollit të sotëm për ta ngritur këtë sport në nivelet më të larta”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.