Rritja e rasteve me COVID-19/ Meta: Nevojitet një plan i qartë për menaxhimin efikas të situatës

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta publikoi sot një tabelë ku tregohet numri i rasteve me COVID-19 dhe numri i vdekjeve në 2 javët e fundit.

Kështu në javën 12-18 janar janë 4011 raste në vendin tonë, dhe 34 humbje jete, ndërsa në javën 19-25 janar janë 4830 raste dhe 43 humbje jete.

Meta shprehet se, “sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga “Zëri i Amerikës”, numri i të prekurve nga pandemia arriti në 4830, ose 20.4 për qind më shumë se një javë më parë”.

Ky, thekson Meta, “është niveli më i lartë i shënuar, që pas javës së dytë të dhjetorit”.

“Nevojitet një plan i qartë, që duhet ta kishim prej kohësh, për menaxhimin efikas të situatës, përmirësimin e prekshëm të kushteve në spitale, rritjen e masave mbrojtëse për mjekët e infermierët dhe veçanërisht për vaksinimin e popullatës”, shton Meta.

“COVID-19 nuk ndalet me propagandë”, nënvizon Kreu i Shtetit duke theksuar se, “shëndeti dhe jeta e shqiptarëve duhet të jenë prioritet absolut”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.