Reshjet e dendura/ Çako: Ekipet e emergjencave në Obot të Shkodrës, do vijojmë me rehabilitimin dhe vlerësimin e dëmeve

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako u shpreh se, reshjet e shiut që përfshinë vendin tonë në të dy periudhat e këtij muaji kanë qenë në sasinë më të lartë se asnjëherë me parë, megjithatë me masat e marra dhe gatishmërinë e ekipeve në terren, po përballojmë çdo situatë të vështirë”.

Gjatë një interviste televizive, Çako tha se “Shqipëria është vend i ekspozuar nga fatkeqësitë natyrore ndaj dhe qeveria e ka vënë në fokus të veçantë investimin në projekte për parandalimin e përmbytjeve”.

“Kështu, – vijoi ai, – reforma për ngritjen e emergjencave  civile, duke marrë në konsideratë edhe direktivat e BE-së si dhe një sërë projektesh të qeverisë në bashkëpunim me BE-në, kanë në fokus hartëzimin e lumenjve dhe vlerësimin e riskut nga përmbytjet”.

“Po punohet për të hartuar një dokument strategjik me rëndësi të madhe për uljen e riskut nga përmbytjet”, – tha ai.

Çako theksoi se, në rastet e fatkeqësive natyrore, qeveria bën kompensimin dhe jo dëmshpërblimin e të prekurve dhe qytetarët janë dëshmitarë, se janë kompensuar për këto dëme.

Ai vuri në dukje se njëherazi është përgjegjësi e bashkive të cilat kanë detyrimin ligjor për investime në zvogëlimin e riskut dhe administrimin e fatkeqësive natyrore.

Lidhur me situatën aktuale, ai deklaroi se “jemi prezent me ekipet e Emergjencave në Obot të Shkodrës, por edhe në zona të tjera ku ka nevojë, ndërkohë që të gjitha strukturat janë në këmbë dhe në terren”.

Ndërsa puna jonë, theksoi ai do të vijojë me hartimin e strategjisë për rehabilitimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve.

“Të gjitha institucionet janë të gatshme dhe prezent për të rehabilituar të gjithë këtë situatë. Menaxhimi i dy periudhave ka qenë shumë korrekt edhe në menaxhimin e  kaskadave të HEC-eve”, – u shpreh Çako.

Duke u ndalur në situatën e krijuar në Shkodër ai tha se, “në asnjë rast liqeni i Shkodrës nuk ka shkaktuar përmbytje nga shkarkimet e kaskadës së lumit Drin, por kanë qenë prurjet e larta të ujit nga lumenjtë që kanë krijuar situata”.

“Nga informacionet që kemi pritet që intensiteti i reshjeve do të ulet dhe situata do të përmirësohet dhe janë parashikuar të gjitha masat që do të merren në vijimësi”, – tha Çako. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.