Prurjet në kaskadën e Drinit 2200 m3/s, shkarkimet vijojnë të mbeten 500 m3/s nga HEC-i i Vaut të Dejës

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bën të ditur se reshjet e shumta që kanë përfshirë vendin tonë prej fundjavës së shkuar kanë shtuar prurjet në Kaskadën e Drinit, por falë menaxhimit efikas shkarkimet po mbahen në nivelin prej 500 m3/s nga HEC-i i Vaut të Dejës, çka nuk ndikon në rritjen e nivelit të ujit në zonën e nën Shkodrës.

“Të dhënat e mesditës tregojnë se prurjet totale janë 2200 m3/s. Shkarkimet nga porta e HEC-t të Vaut të Dejës vijojnë të jenë 500 m3/s, sasi kjo, që nuk ndikon në rritjen e nivelit të ujit në zonën e nën Shkodrës”, informoi KESH.

Nivelet e liqenit të HEC-t të Fierzës është 290.05 m nga 296 m që është niveli maksimal, në HEC-n e Komanit niveli llogaritet 173.46 m nga 176 m që është niveli maksimal i liqenit, ndërsa në HEC-n e Vaut të Dejës niveli është 72.17 m nga 76 m që është niveli maksimal i liqenit.

KESH, thekson se po prodhon me kapacitete maksimale duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike të konsumatorit vendas.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.